Albin Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas djegiës së Qendrës së Regjistrimit të veturave në Zubin Potok dhe vendosjes së mjeteve shperthyëse në qendren e regjistrimit civil në Zveçan në veri të vendit.

Kurti ka thënë se këto incidente janë qartazi të nxitura nga Serbia duke shtuar se ajo po përdorë qytetarë të Kosovës, për të nxitur konflikt serioz ndërkombëtar.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se sulme të tilla nuk do të tolerohen.

Postimi i plotë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti

Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.

Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.