Foto: Lëvizja Vetëvendosje / Facebook

Albin Kurti rizgjidhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, sot ka mbajtur zgjedhjet për të zgjedhur strukturat e reja të nivelit qëndror, ndërkaq në 26 qendra është votuar edhe për nivelin e dytë organizativ që përfshin strukturat e reja drejtuese në nivel të qendrave.

Kandidat i vetëm për kryetar ishte kryetari aktual: Albin Kurti.

Kurti zgjedhjet i fitoi me 98.60 për qind të votave për, 0.89 për qind kundër dhe 0.51% abstenim.

Këto zgjedhje janë mbajtur në të gjitha qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje për strukturat e reja të nivelit qendror.

Para katër ditëve, kryeministri i vendit, Albin Kurti, para aktivistëve dhe anëtarëve të LVV-së prezantoi platformën e tij programore për mandatin 4-vjeçar.

Në zgjedhjet e fundit të brendshme të kësaj partie, më 2018, ishte prapë Kurti, si kandidat i vetëm, ai që fitoi.

Para këtij mandati, partia udhëhiqej nga Visar Ymeri, i cili më 2 janar 2018 kishte dhënë dorëheqje nga çdo pozitë që ai mbante në LVV.

Kush është Albin Kurti?

Albin Kurti, 47-vjeçar, ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai iu bashkua kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

Sipas të dhënave të Lëvizjes Vetëvendosje, kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999.

Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001.

Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë politikë e themeluan një iniciativë qytetare të quajtur Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ishte kryetar i LVV-së deri në mars të vitit 2015. Kurti garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për kryetar të saj në janar të vitit 2018 dhe fitoi.

Albin Kurti ka qenë deputet i LVV-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë, e ai gjithashtu ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.

Albin Kurti flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë.

Kurti është zgjedhur dy herë kryeministër i vendit. Ai fillimisht kishte kryesuar Qeverinë Kurti 1, e cila ishte në koalicon me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Mirëpo, lidhja e këtij koalicioni ishte më e gjatë se jetëgjatësia e tij. Kurtit 1 iu deshën më shumë se 100 ditë negociata për t’u formuar e vetëm 52 ditë për t’u rrëzuar.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Lëvizja Vetëvendosje u radhit e para, ndërsa LDK e dyta. Kjo radhitje bëri që kryetarët e dy partive dhe anëtarët e tjerë për më shumë se 4 muaj të takohen vazhdimisht që të arrijnë në një marrëveshje për krijimin e Qeverisë.

Qëllimi u arrit, dhe më 3 shkurt 2020, Qeveria Kurti 1 mori 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime.

Por, vetëm 52 ditë më pas, më 25 mars 2020, Kurti 1 u rrëzua nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 34 kundër, dhe 1 abstenim.

Kjo solli zgjedhjet e reja në vend.

Më 14 shkurt 2021 në territorin e vendit qytetarët dhanë votën e tyre për të nxjerrë fitues LVV-në me 50.28 për qind të votave.

Pas kësaj, më 23 mars 2021 me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim u zgjodh Qeveria e dytë që është ende në pushtet, ajo Kurti 2.

Rruga e Lëvizjes Vetëvendosje drejt pushtetit

Pas 9 viteve në opozitë, e gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-ës, e më pas e para edhe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021.

Nga protestat në rrugë, te protestat në Kuvend, Vetëvendosje ka shënuar rritje në secilin proces zgjedhor.

Për profesorin universitar në Norvegji Sead Zimerin, ky tranzicion nuk është ndryshim i Albin Kurtit, por ndryshim i rrethanave politike në vend.

“Albin Kurti nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar situata e tij, rrethanat në të cilat ai do të veprojë nëse bëhet kryeministër dhe obligimet që do t’i ketë ndaj qytetarëve” – kishte thënë Zimeri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa për Artan Mustafën, hulumtues në fushën e politikës sociale, fitorja e LVV-së vjen si rezultat pas pabarazisë sociale të krijuar në Kosovë.

“Historia politike na tregon që partitë bëhen në rrugë e sipër. Vetëvendosje e sotme nuk është ajo që ka qenë në 2007, dhe Vetëvendosje e sotme nuk do të jetë ajo e vitit 2031” –  kishte thënë Mustafa për gazetën JnK.

Rritja e LVV-së, nga një organizatë deri në parti fituese

Lëvizja Vetëvendosje u themelua më  12 qershor 2005 , si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

Në ditën kur Kosova festonte përvjetorin e çlirimit (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar 16 ulëse.

Në vitin 2015, Vetëvendosje dhe partnerët opozitarë AAK e NISMA  gjuajtën me gaz lotsjellës e vezë brenda Parlamentit për ta ndaluar Parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse.

Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.