Albin Kurti: Qeveritë e mëhershme kanë pasur qëllim pasurimin korruptiv

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas anketës së  Agjencisë së Statistikave të Kosovës në lidhje me gjendjet ekonomike të familjeve në Kosovë.

Kurti ka shkruar se ndonëse këto statistika janë të vitit 2018, këto shifra mund të jenë përkeqësuar nga atëherë.

Gjithashtu Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Qeveria aktuale është “kot” dhe se edhe qeveritë e mëhershme kanë pasur qëllim pasurimin korruptiv dhe liberalizimin e vizave.

“Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot. Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalë nga kontrolli institucional. Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre”, ka shkruar Kurti.

Më tej ai ka renditur gjetjet e anketës së fundit të ASK për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018.

– Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;

– Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;

– 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;

– 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;

– 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;

– 35.4% nuk kanë kompjuter;

– 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;

– 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;

– 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;

– Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.