Albin Kurti prezanton aderimin e ri në VV

Kreu i Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar edhe një aderim në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Drita Kabashi, e cila është nga të paktat gjinekologe në Kosovë që trajton gjinekologjinë e fëmijëve si dhe sëmundjet psikosomatike, tash është anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. E mirëpritëm bashkë me deputetin Salih Zyba”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai e ka quajtur si dritë në errësirën politike të Kosovës, aderimin e ri të partisë së tij.

“Nga viti 2013, Drita u rikthye në Kosovë për të ushtruar profesionin e saj këtu. Dhe, tash ajo ka vendosur t’i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila është drita që do ta flakë errësirën politike e cila po i ngulfatë profesionistët tanë”, thuhet tutje në postimin e të parit të Vetëvendosjes.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Drita që rikthehet në Kosovë

Drita Kabashi, e cila është nga të paktat gjinekologe në Kosovë që trajton gjinekologjinë e fëmijëve si dhe sëmundjet psikosomatike, tash është anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. E mirëpritëm bashkë me deputetin Salih Zyba.

Ajo ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1996. Pas studimeve, Drita punoi si mjeke në praktikë në Spitalin e Prizrenit dhe pjesë e shoqatës ‘Nëna Terezë’. Më pas ajo emigroi në Tubingen të Gjermanisë, dhe, aty edhe rikonfirmoi diplomimin e saj në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 2001. Drita nga viti 2003 ka qenë pjesë e Spitalit Universitar Gjinekologjik në Tubingen si mjeke në specializim dhe nga viti 2007-2010 bashkëpunëtore shkencore në këtë universitet. Ajo në vitin 2010 specializoi në fushën e gjinekologjisë dhe obstetrikës dhe menjëherë u emërua si mjeke e lartë në Repartin e Onkologjisë. Në vitin 2012 subspecializoi në fushën e onkologjisë. Drita është bashkëpunëtore e shumë punimeve shkencore.

Nga viti 2013, Drita u rikthye në Kosovë për të ushtruar profesionin e saj këtu. Dhe, tash ajo ka vendosur t’i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila është drita që do ta flakë errësirën politike e cila po i ngulfatë profesionistët tanë.