Aderimi i ri në VV vjen nga Maqedonia e Veriut

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka prezantuar Arjeta Selimin si anëtaren më të re të partisë.

“Gjatë viteve të luftës 1998-1999, mund ta keni parë, e mund të mos e keni njohur – siç thuhet. Asokohe, Arijeta Selimi po punonte për UNHCR-në në Shkup, ku po asistonte në teren, në përkrahjen e refugjatëve, bashkimin e tyre familjar, furnizimin me ushqim, përkujdesjen e tyre për strehim e vendbanim dhe nevoja sanitare”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka treguar edhe një pjesë të biografisë së saj të cilës ia ka bashkangjitur edhe një fotografi.

“Pas luftës, Arijeta ka punuar në sektorin financiar dhe komercial në Maqedoni deri në vitin 2005 kur edhe fillon të punojë në kabinetin e Kryetarit të Shkupit z. Trifun Kostovskit. Arijeta ka diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe pranë Universitetit shtetëror të “Qirili dhe Metodi” në Shkup, kurse magjistraturën e ka përfunduar për Administrim Publik dhe Shkenca Politike – Drejtimi Diplomaci pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Ajo ka lindur në Chambery të Francës, por pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Maqedoni. Arijeta Selimi si atdhetare dhe profesioniste iu bashkua Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Albin Kurti.