Albin Kurti: Pas pandemisë, qytetarët evropianë do të lëvizin lirshëm, kosovarët do të mbeten të izoluar

Kryeministri i Kosovës Albin Kurit, në video-konferencën e sotme  për Ballkanin Perëndimor ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është stërgjatë.

“Popullsia e Kosovës është e re dhe energjike prandaj nuk dyshoj se ne mundemi të punojmë shumë. Por, është e domosdoshme që edhe Bashkimi Evropian të punojë dhe të jetë i përkushtuar për neve”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se në këtë krizë pandemie ku qytetet e shtetet gjithandej globit po i mbyllin kufijtë e po i izolojnë njerëzit e tyre, “ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është liria e lëvizjes”.

Por, sipas tij, kur pandemia të përfundojë, qytetarët gjithandej Evropës do të jenë të gatshëm të lëvizin lirshëm sërish nëpër Evropë, “përderisa ne në Kosovë do të mbetemi të izoluar”.

Kjo konferencë është organizuar nga Kancelari Austriak  Sebastian Kurz, në të cilën ishin prezentë Komisioneri Evropian Varhelyi, Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Schallenberg, Ministrja për BE-në, Edtstadler dhe të gjithë kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.