Aktori amerikan Kevin Spacey lirohet nga të gjitha akuzat për sulm seksual

Aktori amerikan, fitues i çmimit Oskar, Kevin Spacey, është liruar nga të gjitha akuzat pas një gjykimi katër javor në Londër mbi pretendimet për sulm seksual.

Ylli i Hollivudit, 64 vjeçar, ishte me lot në sy, ndërkohë që juria në Gjykatën e Kurorës Southwark e shpalli atë të pafajshëm për shtatë akuza për sulm seksual dhe dy akuza për vepra të tjera të rënda seksuale.

Akuzat mbuluan një periudhë midis viteve 2004 dhe 2013, kur Spacey shërbeu si drejtor artistik në teatrin Old Vic në kryeqytetin britanik. Ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Spacey e falënderoi jurinë pasi e la të lirë pas 12 orësh e 26 minutash diskutimi për tre ditë. 

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët jashtë gjykatës menjëherë pas vendimit, Spacey tha se ndjehet “i përulur”.

Spacey ka fituar dy çmime Oscar për rolet e tij në “The Usual Suspects” dhe “American Beauty”. Ai i është rikthyer aktrimit viteve të fundit pas largimit nga “House of Cards” ku luajti për pesë sezone përpara se të pushohej nga puna në vitin 2017 për akuzat për sjellje të pahijshme brenda dhe jashtë setit.

Gjatë gjykimit, prokurorja Christine Agnew u tha juristëve se Spacey ishte “një ngacmues seksual” dhe një njeri që “kënaqet t’i bëjë të tjerët të ndihen të pafuqishëm dhe të pakëndshëm”, raportoi agjencia e lajmeve PA Media. Aktori tha se akuzat ishin “çmenduri” dhe “thikë pas shpine”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala