Foto: MPB

Aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe homologu i tij shqiptar, Taulant Balla, kanë vizituar sot, më 12.06.2024, pikën e përbashkët kufitare në Vërmicë.

Nga sot do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas njoftimit, Sveçla ka thënë se mes dy vendeve nuk do të ketë kontrolle për qytetarët, por po punohet për të pasur sisteme të avancuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare.

“Sveçla tha se në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit, janë shënuar edhe 20 vendkalime të veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave”- thuhet në njoftim.

Nga data 01.05.2024 ka hyrë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për kalimin e kufirit pa kontrolle të pasaportave dhe letërnjoftimeve për shtetasit e dy vendeve.

Për këtë marrëveshje kishin njoftuar gjatë muajit prill ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe homologu i tij shqiptar, Taulant Balla.

Ata kanë bërë të ditur se me protokollin e ri, që zëvendëson të vjetrin, mundësohet lëvizja me procedura të shpejtuara gjatë 9 muajve të vitit për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë/Morinë.