Aktivistja Loshaj: Jam e zhgënjyer me ministrin Liburn Aliu për çështjen e Lumbardhit të Deçanit

Aktivistja e mjedisit, Shpresa Loshaj, ka thënë se është e zhgënjyer me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliun dhe gjithë institucionet aktuale, në lidhje me çështjen e hidrocentraleve në Lumbardhin e Deçanit.

Në ‘Samitin e lumenjve të Kosovës’, Loshaj tha se ka shpresuar shumë në qeverisjen aktuale, por sipas saj, nuk është bërë asgjë.

“Kemi shpresuar shumë prej institucioneve të tanishme. Kur jam takuar me ministrin Aliu, aq entuziast ka qenë për me e marrë në dorë çështjen e Deçanit, jam çuditur. Por fatkeqësisht, nuk ka ndodhur asgjë” – tha Loshaj gjatë këtij Samiti.

“Fatmirësisht ne si aktivist të shoqërisë civile kemi qenë të përgatitur që institucionet nuk janë duke bo kurrgjë, kemi qenë të përgatitur që të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjore, që ta shtyjmë përpara” – tha në mes tjerash aktivistja Loshaj.

Ajo shtoi se si shoqëri civile janë duke tentuar që të diskutojnë me ministrin dhe operatorin ekonomik, që të fillojë riparimi i shkatërrimit që ka ndodhur në lumin e Deçanit.

“Ka gati 2 vite që institucionet nuk kanë bërë asgjë, ne jemi duke munduar që të diskutojmë me ministrinë, Kelkosin që si me ardhë në një situatë që të fillojmë riparimin në Deçan. Por nuk ka asnjë hap nga ana e tyre, edhe ky ka qenë qëllimi i Samitit, që të bashkohemi që të gjithë, edhe të fillojmë me zgjidhjet e së ardhmes. Duhet që të kërkojmë llogari dhe të mos e pranojmë këtë qasje. Kanë ardhur me premtim që do ta adresojnë çështjen e lumenjve, por asgjë nuk është duke ndodhur” – ka thënë Loshaj.

“Nuk mundemi me prit diçka të mirë prej atyre që e kanë sjellë këtë shkatërrim, është kundërshtim. Ministria duhet të tërhiqet dhe të pranojë se ato leje janë të paqëndrueshme, pse ministria me qenë në anën e operatorëve. Është diçka e vështirë me e pranu, sepse është si me e mbrojte vendin tënd nga qeveria e vendit” – tha ajo.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë aktualisht Kosova është në rrugën e tranzicionit energjetik. Ai ka thënë se meqë Kosova është vonuar, zgjidhjet nuk janë të shumta, por paniku është i madh.

“Edhe pse jam pjesë e Kuvendit, më duhet ta them në nivelin e zbatimit të ligjeve dhe politikave ngecim në arritjen e objektivave. Teknologjia e energjisë së rinovueshme është për 200% më e lirë se që ka qenë në vitin 2011. Ne nuk e kemi shfrytëzuar asnjë 1% të kapaciteteve të rinovueshme. Kemi dëmtuar lumenjtë përmes hidrocentraleve, që tregon paligjshmërinë në formën se si janë ndërtuar dhe janë dhënë lejet për hidrocentralet” – tha Abazi.

“Po fokusohemi te tranzicioni energjetik, sepse sa më shpejtë që të bëhet, lumenjtë do të kthehen, sepse nuk do të ketë nevojë që të bëhet prerja e drunjëve, sa bëhet tani. Korrupsioni është një nga çështjet më të mëdha, që tenton të shpërlahet në lumenj dhe ujëra, ndonjëherë jepet leja për 5 metra dru, prehen 50 metra. Që do të thotë që mekanizmi i kontrollit nuk është në nivelin e duhur, për të parandaluar nga keqpërdoruesit” – ka thënë ndër të tjera deputeti Abazi.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë po mbahet ‘Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës’, me temën lumenjtë dhe mbrojtjen e tyre.