Aktakuzë për tentimvrasjen që ndodhi në Prizren pas një fjalosje në komunikacion

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për tentimvrasjen e cila ka ndodhur më 10 janar në rrugën “Xhemil Fluku” Prizren.

L.V akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Viktima dhe i akuzuari kanë qenë në automjetet e tyre në kolonë të trafikut. Para automjetit të viktimës ishte duke qëndruar i pandehuri me automjetin e tij të markës “Audi’’. Sipas aktakuzës, i njëjti e kishte ndalur automjetin duke biseduar me një kalimtar rasti, duke shkaktuar kolonë të panevojshme në trafik.

Në aktakuzë më tutje thuhet se me këtë rast viktima pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i ka tënë borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën.

I akuzuari ishte kthyer tek makina e tij për të marrë pistoletën dhe përsëri kishte vazhduar fjalosjen me viktimën.

“Fillimisht me dorezën e pistoletës e godet viktimën në kokë, me ç’rast ky i fundit i vërsulet të njëjtit duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.