Aktakuzë ndaj të dyshuarit që tentoi të grabiste me dhunë 20,000 euro në këmbimore

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit F. I.

Sipas prokurorisë, F. I. dyshohet se më datën 10 shtator 2021, në Prizren, në zyrën këmbimore “Prizreni”, shkon në këmbimore kinse të këmbejë 25.000 franga në euro, me ç’rast i dëmtuari duke i përgatitur në euro, posa fillon t’i numërojë 20,000 euro i akuzuari e zë të habitur të dëmtuarin, duke u ngritur nga karriga e godet me grusht, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore, dhe largohet me vrap me paratë që i ka grabitur në shumë prej 20.000 euro.

Prokuroria, po ashtu pretendon se i dyshuari F. I. ka kryer edhe një vepër të ngjashme në gusht të vitit 2021.

Sipas komunkatës të prokurorisë, i akuzuari F.I., me datë 31 gusht 2021, rreth orës 20:20 në Prizren, në afërsi të objektit BQK-së, me përdorim të forcës e përvetëson pasurinë e personit tjetër të dëmtuarit E.B., në atë mënyrë që i afrohet të dëmtuarit duke e pyetur “sa po shkojnë frangat zvicerane” dhe pajtohen për këmbim kinse të 2000 frangave.

Tutje në komunikatë thuhet se gjatë kohës që i dëmtuari numëronte shumën prej 1,820 euro, i akuzuari e godet me grusht të dëmtuarin E. B., me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore, i merr paratë dhe largohet me vrap në drejtim të panjohur.
Me këto veprime i akuzuari F. I., ka kryer veprën penale të grabitjes.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.