Foto: KALLXO.com

Aktakuzë ndaj Skender Hysenit

Ish-Koordinatori Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skender Hyseni së shpejti do të paraqitet në bankën e të akuzuarit për tu përballur me akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.

Prokuroria e Prishtinës më 10 dhjetor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Skender Hysenit për veprën penale, mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj Hysenit e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Më 21 korrik 2020, atëherë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e kishte emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

Skender Hyseni ka qenë pjesë e delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status dhe zëdhënës i ekipit negociator të Kosovës nga 2006-2007.

Ndër vite, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Punëve të Brendshme si dhe ministër i Kulturës.