Ilustrim

Aksioni kundër fajdeve në Gjilan, viktima u detyra ta shiste kompaninë në vlerë 600 mijë euro

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin kundër fajdeve ku ka treguar edhe për arrestimin e dy personave.

Aksioni, i cili u realizua të premten më 21.06.2024 në Gjilan rezultoi me sekuestrimin edhe të tri veturave, motor sportiv, armë dhe municion, para dhe dokumente të ndryshme.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, më 21.06.2024 ka filluar  realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’” – thuhet në njoftim.

Sipas forcave të rendit, viktima e fajdeve ishte detyruar ta shiste kompaninë e tij dhe vlera e dëmit parashikohet të jetë mbi gjysmë milioni euro.

“Të dyshuarit në këtë rast  në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën  mbi 600.000 euro, duke e detyruar viktimën që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij” – thuhet në njoftim.

“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 2 të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa lidhur me rastin janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj  të dyshuarve” vijon njoftimi.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.