Ilustrim Foto: KALLXO.com

Aksioni i Policisë, në Gjakovë gjendet një drogë shumë e rrallë

Një aksion i udhëhequr nga Prokuroria e Pejës, e asistuar nga Njësia antidrogë e Policisë, është ndërmarrë në rajonin e Dukagjinit, gjatë të cilit janë zbuluar plantacione të bimëve narkotike dhe vende ku thaheshin këto bimë dhe përgatiteshin për t’u vënë në treg.

Përveç në fshatra të Deçanit, aksioni është shtrirë edhe në Gjakovë, ku zyrtarët policorë kanë arrestuar një person nga Shqipëria i cili jetonte në këtë qytet.

Brenda banesës janë hasur rrobat e përdorura në plantacionin e kanabisit si dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar rreth gjysmë kilogrami substancë narkotike, që dyshohet të jetë kokainë ngjyrë pembe, një drogë kjo shumë e rrallë.

I arrestuari nuk e kishte hapur derën dhe zyrtarët policorë ishin detyruar ta thyejnë derën për të  depërtuar brenda.

Prokurori edhe shefi i hetimeve edhe këtu e njoftojnë të dyshuarin për çka dyshohet dhe pse u krye bastisja.

I dyshuari është arrestuar.

Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 7 personave që u arrestuan në aksionin kundër narkotikëve në rajonin e Dukagjinit.

Aksioni është zhvilluar më 28 shtator të këtij viti.