Aksioni i Doganës kundër falsifikimit të markave tregtare

Njësiti i Sektorit Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovë ditë me parë ka zhvilluar një aksion kontrolli në 3 subjekte afariste në Prishtinë.

Aksioni kishte nisur pas raportimit të një qytetari në adresën e Doganës për dyshimin se ato subjekte mbajnë mallra të kontrabanduara dhe se me mallrat e tyre shkelin të drejtën pronësore dhe intelektuale.

Hetuesit e Doganës shoqërohen në aksion edhe nga inspektorët e Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në lokalin e parë zyrtarët hasin në mallra të falsifikuara – mbathje sportive false që janë të blera në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Astrit Beka, udhëheqësi i njësitit në Sektorin Anti-Kontrabandë në Doganën e Kosovës e informon pronarin për arsyen e kontrollit.

Për mbathjet sportive të falsifikuara pronari i lokalit arsyetohet se të tilla ka gjithkund.

Më pas, mallrat pa dokumentacion fillojnë të konfiskohen dhe ndaj palëve do të zhvillohen proceduarat përkatëse varësisht nga vlera e mallit të konfiskuar.

Aksioni vazhdon në një  lokalë tjetër.

Aty konfiskohen çanta, të cilat janë të falsifikuara.

Çanta të markave “Luis Viton”, “Dolce gabana” dhe të tjera, të gjitha janë të falsifikuara sipas kontrollit të Doganës.

Rreth 40 çanta të krahut për gra konfiskohen ndërsa aksioni vazhdon në një lokal tjetër.

Edhe këtu ka atlete të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

Dogana e Kosovës në vazhdimësi u bën thirrje qytetarëve për raportim kur shohin parregullsi në subjektet afariste

“Në bazë të informatës së qytetarëve sot kemi ndërmarrë një kontrollë në 3 subjekte tregtare në qytetin e Prishtinës. Në të 3 subjektet tregtare është hasur në mallra pa dokumentacion për atë mall, sasia e përafërt e mallit të konfiskuar është rreth 550 palë këpucë sportive dhe sasi të çantave të krahut për gra. Për mallin e konfiskuar palëve u është lëshuar vërtetimi për konfiskimin dhe varësisht nga vlera do të procedohen në sektorin për kundërvajtje ose si vepra penale” – theksoi Beka.