Aksidenti me fatalitet, arrestohet personi që dyshohet se iku nga vendi i ngjarjes

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në mëngjesin e ditës së djeshme në fshatin Jashanicë të Klinës.

Policia e Kosovës ka thënë se në aksident dyshohet se kanë qenë të përfshira dy vetura. Sipas Policisë, vozitësi i njërit prej dy automjeteve ka vdekur ndërsa vozitësi i automjetit tjetër dyshohej se ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka njoftuar se i dyshuari A.D., 20-vjeçar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Pas një pune intensive të të gjitha Njësiteve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, sot me datёn 22 nëntor 2022, ёshtё arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari” – ka thënë Policia.

Aksidenti ka ndodhur në rrugën Skenderaj-Klinё. Sipas Policisë, i dyshuari ka goditur veturën e viktimës duke i shkaktuar lëndime tё rënda trupore.

Viktima raportohet të jetë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë pa shenja jete.