Aksident në rrugën Rahovec-Malishevë, dy persona të lënduar

Dy persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën Rahovec-Malishevë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj për KALLXO.com deklaroi se deri te aksidenti erdhi si shkak i mosrespektimit të shenjave të trafikut.

“Deri te aksidenti ka ardhur kur i dyshuari që po drejtonte automjetin e tipit BMW, teksa qarkullonte në aksin rrugor Rahovec-Malishevë, në rrugën “Shkodrani” në dalje të qytetit të Rahovecit, nuk e mbajti shiritin e djathtë të lëvizjes dhe kaloi në shiritin e kundërt të rrugës, fillimisht me pjesën e parë ballore të majtë ku përplasët për mbrojtëse metalike të rrugës dhe papritmas me pjesën e parë ballore të majtë, e godet automjetin Mercedes, i cili ishte duke qarkulluar në drejtimin e kundërt”, ka thënë Xhurkaj.

Në aksidentin që ka ndodhur rreth orës 16:00, përveç personave të lënduar ka edhe dëme materiale.

“Janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjete ku lëndime trupore pësuan dy drejtuesit e automjeteve të lartë shënuar, të cilët më pas janë transportuar në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë”, shtoi tutje Xhurkaj.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, dhe me urdhër të tij,  rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.