Aksident në Gjakovë, vetura godet këmbësorin

Një aksident me lëndime ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në Gjakovë.

Zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nysret Xhurkaj, ka thënë për KALLXO.com se një veturë ka goditur një këmbësor.

“Deri te aksidenti ka ardhur derisa vozitësja kishte qenë duke drejtuar automjetin përgjatë rrugës Pejë- Gjakovë dhe me të arritur në hyrje të qytetit të Gjakovës kishte goditur këmbësorin me pjesën e parme”, tha Xhurkaj.

Ai shtoi se vozitësja kishte ndaluar dhe i kishte ofruar ndihmë të nevojshme mjekësore këmbësorit.

“Për shkak të lëndimeve këmbësori është dërguar në spital dhe sipas mjekut kujdestar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjakovë  i njëjti ka frakturë në këmbën e majtë”, tha tutje Xhurkaj.

Në lidhje me rastin siç tregon Xhurkaj është njoftuar edhe prokuroria e shtetit ndërsa rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.