Foto: Top-Channel

Aksident me vdekje në Laç, këmbësori përplaset nga dy makina

Një aksident me vdekje ka ndodhur në aksin rrugor Laç-Patok, në afërsi të “Mbikalimi i Patokut” rreth orës 19:30.

Një makinë ka përplasur një person, i cili ende nuk është  identifikuar. Ka qenë mjeti tip “Hyundai” me të cilin është përplasur fillimisht viktima.

Siç duket dhe nga pamjet goditja ka qenë e fortë duke e hedhur këmbësorin në anë të rrugës, ku më pas është marrë zvarrë për rreth 50 m nga një tjetër automjet, tip ”Fiat”.

Të dy drejtuesit e mjeteve ndodhen në komisariat duke dhënë deklaratën e tyre, ndërsa trupi i viktimës ndodhet në morg dhe pritet identifikimi i tij.

“Rreth orës 19:30, në aksin rrugor Laç-Patok, në afërsi të “Mbikalimi i Patokut”, shtetasi F. M. duke drejtuar automjetin e tij ka përplasur një shtetas këmbësor, akoma i paidentifikuar. Menjëherë pas përplasjes së parë, këmbësori është përplasur edhe nga një mjet tjetër që drejtohej nga shtetasi D. P. Si pasojë e plagëve të marra nga përplasjet, shtetasi këmbësor ka humbur jetën. Të dy drejtuesit e mjeteve janë shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme hetimore procedurale. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, sipas policisë./Top Channel