Aksident komunikacioni në Ferizaj, vdes pasagjerja 36-vjeçare

Një vetë-aksident me fatalitet ka ndodhur sot në Ferizaj në dalje të fshatit Talinofc i Muhaxherëve. Në këtë aksident po ashtu kanë mbetur të lënduar edhe dy persona të tjerë.

Policia e rajonit të Ferizajt ka bërë të ditur se aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të mos përshtatjes të shpejtësisë dhe kushteve në rrugë.

“Dyshohet se derisa një automjet me targa vendore ishte duke lëvizur në rrugën lokale nga Ferizaj në drejtim të fshatit Sazli dhe posa arrin në dalje të fshatit Talinovc i Muhaxherëve , për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë ( mot me shi) shoferi e  humb kontrollin mbi automjet dhe kalon në anën e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe godet një shtyllë elektrike të betonit”, thuhet në njoftim.

Policia ka shtuar se si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën personi me inicialet K.G, e moshës afërsisht 36 vjeçare, që ishte pasagjere në automjet, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt në vendin e ngjarjes.

“Ndërsa, lëndime trupore kanë pësuar shoferi i automjetit me inicialet A.G ( M/K) i moshës 18 vjeçar dhe një pasagjerë tjetër me inicialet L.G (M/K) i moshës 20 vjeçar.  Të njëjtit  për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj , ku dhe po trajtohen”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Policisë së Ferizajt, në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet e policisë nga stacioni policor i Ferizajt,  Njësia e Hetimeve të Aksidenteve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor, Brigada e Zjarrëfikësve nga Ferizaj dhe auto-ambulanca e spitalit rajonal të Ferizajt.

“Gjithashtu në vendin e aksidentit ka dalur edhe Prokurori nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe me vendim të tij,  trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve të Aksidenteve në koordinim me Prokurorin e shteti”, thuhet në fund të njoftimit.

Gjatë ditës së djeshme në vendin tonë janë shënuar 83 aksidente. Prej tyre 1 ka qenë më fatalitet dhe 32 aksidente janë shënuar me persona të lënduar. 50 aksidente kanë qenë me dëme materiale.