AIP nis procedurat e inspektimit për shkelje të mundshme të privatësisë gjatë aksionit të “KRU Prishtina”

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka konfirmuar për Kallxo.com se ka nisur procedurën e inspektimit lidhur me shkeljet e mundshme të privatësisë gjatë një aksioni të “KRU Prishtina” ndaj borxhlinjve në kryeqytet.

Më 19.06.2024, një medium në Kosovë publikoi një video ku shiheshin ekipe të shkyçjes dhe inspektorë të ujësjellësit duke kryer një aksion në Veternik të Prishtinës.

Kallxo.com evidentoi se në materialin e publikuar online kishte sekuenca të xhiruara ku shfaqeshin fytyrat e qytetarëve në hapësirën e tyre private.

Më 27.06.2024, Agjencia ka rikonfirmuar se ka nisur procedurën e inspektimit rreth këtij rasti, mirëpo ende nuk e ka përfunduar.

“Pas pranimit të kërkesës tuaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, më datë 20.06.2024, ju ka njoftuar se ka filluar procedurën e inspektimit për këtë rast. Në momentin e përfundimit të procedurave do t’ju mbajmë të informuar” – thuhet në përgjigjen me e-mail të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në përgjigjen që Kallxo.com e ka marrë nga Agjencia, më 20.06.2024, ndër tjera thuhet se “në bazë të të gjeturave [AIP] do të dalë me një vendim”.