Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Ahmeti uron Qeverinë e re, shprehet skeptik për realizimin e plan-programit

Shpend Ahmeti, ish-bashkëpartiaku i kryeministrit Albin Kurti, ka uruar votimin e Qeverisë Kurti 2.

Sipas tij, ky urim nuk është pse pajtohet me politikat e tij, por pse sipas tij vullneti i qytetarëve e ka vendosur një gjë të tillë.

“Urime Qeverisë së re të Republikës së Kosovës! Jo pse pajtohem me politikat por për shkak se vullneti i qytetarëve duhet të jetësohet.  Se a janë emrat e ministrave të duhur, do të kemi mjaftueshëm kohë të vlerësojmë”, ka shkruar Ahmeti në ‘Facebook’.

“Ne që jemi në institucione kemi adresë të qartë për funksionimin e shtetit, ndërsa qytetarët – edhe ata që e kanë votuar edhe ata që nuk e kanë votuar- do të kenë adresë për kërkesat e tyre dhe mund të kërkojnë përgjegjësi”, ka shtuar më tej ai.

Ahmeti megjithatë u shpreh skeptik në lidhje me realizimin e plan-programit të prezantuar nga Kurti por tha se do t’i gëzohej realizimit të disa prej tyre.

“Nga ajo çka dëgjova në prezantimin e Kryeministrit Kurti dhe duke ditur situatën financiare sot dhe potencialin nesër jam skeptik për realizimin e tyre.  Nuk ka nevojë me i rrit pritjet edhe më shumë.  Kësaj radhe vetëm për mundësitë financiare edhe pse nuk pajtohem për disa nga politikat.  Por, do ti gëzohesha shumë realizimit të disa prej tyre”, tha në fund kryetari i Prishtinës.

Deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë e re të vendit. Kjo Qeveri do të udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.