AGK reagon pas vendimit të FFK-së që mos t'i lejojë mediat ta përcjellin Kuvendin Zgjedhor

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) thotë se e ka pranuar me shqetësim vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për të mbyllur punimet e Kuvendit Zgjedhor për gazetarë dhe media, e cila është e paraparë që të mbahet nesër, 6 prill.

Sipas vendimit të FFK-së, vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësirë, por asnjë gazetar.

AGK ka deklaruar se arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara.

“Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre të papenguar.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar se nesër do të mbajë Kuvendin e Rregullt Zgjedhor pa prezencën e mediave.

Pas përfundimit të Kuvendit, presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi do të jetë në dispozicion të mediave për të iu përgjigjur pyetjeve.

Kuvendi i Rregullt Zgjedhor mbahet në selinë e FFK-së, me fillim prej orës 11:00.

FFK nuk i lejon mediat ta përcjellin procesin e zgjedhjeve për kryetar të federatës