Police detectives searching evidences with magnifying glass flat vector illustration. Cartoon spies or agents in hats, gun and undercover file. Mystery and investigation concept

Agjentët pro-rusë po përpiqen ta kthejnë Gjermaninë kundër Ukrainës

Agjentët që e mbështesin Putinin në Gjermani po punojnë për ta kthyer Berlinin kundër Ukrainës, ka zbuluar një hetim i Reuters.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, zbuloi se figurat kryesore që po bëjnë fushatë që Gjermania ta ndryshojë kursin në Ukrainë kanë lidhje me qeverinë ruse ose me të djathtën ekstreme.

Hulumtimi në fjalë flet për një fushatë – si në internet ashtu edhe në terren  e përmes së cilës i kërkohet Berlinit ta rishqyrtojë mbështetjen e tij për Ukrainën, duke shprehur mesazhe që prekin lidhjet midis Gjermanisë dhe Rusisë, lidhjet e vjetra sovjetike me lindjen komuniste dhe dekadat e varësisë gjermane nga Gazi rus.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, është një mbështetëse kryesore e Ukrainës brenda BE-së, duke premtuar sasi masive ndihme ushtarake dhe civile për Kievin.

Reuters i ka përcaktuar identitetet e figurave kryesore të përfshira në avancimin e interesave ruse brenda Gjermanisë, duke përdorur intervista, postime në media sociale dhe informacione të tjera të disponueshme publikisht.

Një prej tyre është Max Schlund, i cili fillimisht quhej Rostislav Teslyuk para se ta ndryshonte emrin e tij një dekadë më parë.

Ai ka udhëtuar në Ukrainën Lindore të kontrolluar nga Rusia muajt e fundit, plus një agjenci qeveritare ruse, aktualisht nën sanksione të BE-së, e ka paguar biletën e tij të avionit për të marrë pjesë në një konferencë ku presidenti rus Vladimir Putin ishte një prej folësve kryesor.

Një burrë tjetër, i quajtur Andrei Kharkovsky, u identifikua nga Reuters është zotuar për besnikëri ndaj një shoqërie kozake që po e mbështet fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë.

Të dy burrat nuk iu përgjigjën kërkesave për komente nga gazetarët.

Reuters zbuloi se shumë nga avokatët më të zëshëm për ndryshimin e politikës së Gjermanisë ndaj Ukrainës përdorin emra të rremë dhe i kanë fshehur lidhjet e tyre me shtetin rus ose me entitetet ruse në Ukrainë.

Autoritetet gjermane e kanë ndërlidhur një nga personat e identifikuar nga agjencia e lajmeve me të djathtën ekstreme.

Disa ithtarë të ideologjisë ekstreme janë akuzuar nga policia gjermane në dhjetor për komplot për ta rrëzuar qeverinë.

Njëri prej tyre udhëheq me një kanal të mediave sociale në gjuhën gjermane të quajtur “Putin Fanclub” dhe, duke i bërë jehonë komplotit të supozuar, ka bërë thirrje në mediat sociale në fillim të vitit të kaluar për sulm në parlamentin gjerman.

Gjermania ka premtuar më shumë se 1 miliard euro ndihmë humanitare për Ukrainën deri më tani, përveç pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore.

Shumica e gjermanëve e mbështesin Ukrainën, mirëpo çmimet në rritje të nxitura nga një rritje e madhe e kostove të energjisë e kanë zbehur miratimin për rritjen e mbështetjes ushtarake.

Ministria e Brendshme ka deklaruar se i konsideron si “shumë serioze” përpjekjet  nga vendet e tjera për të ndikuar mbi Gjermaninë “në kontekstin e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës”./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala