Afër 6 mijë familje dhe 240 institucione shëndetësore në tërë Kosovën pranojnë ndihma nga UNICEF dhe USAID

5950 familje dhe 240 institucione shëndetësore në tërë Kosovën kanë marrë pako higjienike dhe mesazhe parandaluese në lidhje me COVID-19 nga UNICEF-i dhe USAID-i.

Sipas një njoftimi të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, gjatë pranim dorëzimit të dërgesave sot tek institucionet e Koosvës, të pranishëm ishte ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, i cili vlerësoi lartë ndihmën që po ju ofrohet për menaxhimin e situatës së krijuar nga coronavirusi.

I pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë. Philip Kosnett, koordinatorja kombëtare e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson si dhe shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, u shpreh i impresionuar me punën e institucioneve shëndetësore në luftën ndaj COVID-19.

“Unë jam i impresionuar me punën e institucioneve shëndetësore, OJQ-ve dhe agjencive të tjera. Me shpërndarjen e këtyre mjeteve higjienike për familjet dhe fëmijët ne do të mbrojmë nga virusi familjet më në nevojë ”, tha Kosnett.

Ndërkaq, shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, deklaroi se janë duke punuar për ta ngadalësuar përhapjen e COVID-19, duke ofruar pajisje mbrojtëse të stafit shëndetësor, pako higjienike e deri të zgjedhjet inovative për mësim.

Sipas njoftimit, që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, UNICEF-i ka bërë shpërndarjen e 12,000 pakove higjienike familjare për rreth 72,000 njerëz në 30 komuna dhe kanë bërë një vlerësim të shpejtë të përfituesve përmes intervistave telefonike me 204 familje përfituese të përzgjedhura në mënyrë rastësore. 97 përqind e familjeve e kanë vlerësuar ndihmën e marrë dhe kanë kërkuar vazhdimin e mbështetjes.