Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Kemi humbur një momentum për marrëveshje përfundimtare

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, tha se konsideron që Kosova ka humbur një momentum të rëndësishëm për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Kemi humbur një momentum të rëndësishëm sidomos pas letrës së presidentit Biden, ku kërkohej njohja në qendër me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ku Kosova e Serbia i ndajnë rrugët në procesin dialogues. E Kosova hap një rrugë të re të integrimit euroatlantik me NATO-n si mundësi shumë e afërt e saj” – tha ai në fund të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila përfundoi rreth orës 2:30..

Kjo pjesë e seancës zgjati nga ora 22:00 e të enjtes deri në 2:30 të mëngjesit të sotëm, pasi që LDK kishte kërkuar raportim nga kryeministri për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Abdixhiku tha se nuk arriti të marrë përgjigjet e kërkuara pasi që, sipas tij, Kurti refuzoi të merrej me thelbin e problematikës.

“Kërkojmë sqarim për nenin 7 dhe kapërcimin e kompetencave vetëmenaxhuese për një komunitet të dhënë dhe për statusin politik të kishës ortodokse serbe në Kosovë” – u shpreh kryetari i LDK-së.

Sqarim kërkoi edhe për aneksin e marrëveshjes së dakorduar e cila tha se do të jetë bazë e negocimit të afërm, të ardhshëm me Serbinë. Për këto, ai tha se nuk morën as qartësi e as përgjigje të sakta për pozicionin e Kosovës përpara.

Ai konstatoi se po përfundojmë në një rrugë të paqartë të një marrëveshjeje që hap më shumë mosmarrëveshje sesa zgjidhje të problemit që Kosova e ka në relacion me Serbinë.

Diskutime dhe raportime të tilla, ai tha se duhet të bëhen praktikë normale sa herë që kryeministri shkon para dhe pas negociatave.

Ai po ashtu falënderoi të gjithë deputetët që mbështetën këtë mocion të jashtëzakonshëm.