Abdixhiku: Albin Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë dhe se nuk mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri.

Sipas Abdixhikut, Kurti nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri.

“Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe mos zëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ” – ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook.

Sipas Abdixhikut, situata në  veri është edhe më rëndë se që ishte paraprakisht.

“Fjalimet e kota e populliste nga foltoret në Prishtinë sot humbasin përbrenda thatësisë. Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim” – shtoi Abdixhiku.

Sipas tij koordinimi është mençuri e maturi. Ecja me aleatë sipas Abdixhikut ka qenë gjithnjë interes kombëtar i Kosovës.

“Ai shpërfaqet si servilitet vetëm përpara politikanëve të turmave e ideologëve anti-perëndim që për qëllim të hapur mbajnë rrënimin zhbërjen e Republikës së Kosovës” – theksoi Abdixhiku.

Qeveria e Kosovës sipas Abdixhikut duhet të kërkojë ndihmë.

“Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë” – përfundoi Abdixhiku.

Gjatë ditës së djeshme KFOR ka krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar në zonën ku janë policia në Jarinjë. Kordonet janë vendosur në mes bazës së policisë kufitare dhe pikës kufitare e poashtu në pjesën e poshtme.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për rreth dhjetë ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Dhjetëra qytetar gjatë ditës së djeshme kanë protestuar në pikën kufitare në Jarinje nga ana e Serbisë.

Një pjesë e qytetarëve janë parë të maskuar, ndërsa në duar kishin flamuj të Serbisë.

Grupi i qytetarëve që kishin duke protestuar në anën e Serbisë janë ndaluar nga një kordon i Policisë së Serbisë