Dritan Abazoviq. Foto: KALLXO.com.

Abazoviq: Mali i Zi dhe Kosova janë shembull në rajon se si duhet të bashkëpunohet

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se Mali i Zi dhe Kosova janë shembull në rajon si duhet te bashkëpunohet.

Abazoviq tha se janë në përpjekje që të krijojnë lehtësira për qytetarët e të dyjave vendeve.

“Mali i Zi dhe Kosova janë shembull në rajon si duhet te bashkëpunohet. Mendoj që jemi në një rrugë te duhur të zhvillojmë disa projekte që për Mal të Zi janë historike që kanë të bëjnë me infrastrukturën” – tha Abazoviq.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi foli për bashkëpunimin mes të dyjave vendeve në fusha të ndryshme.

“Nëse krijojmë një akses më të lehtë, shkëmbimi i mallrave, popullit dhe bizneseve do të jetë shumë më intensiv dhe do të krijojë një atmosferë të mirë rajonale” – shtoi ai.

Ai tutje tha se pavarësisht proceseve politike të cilat kanë ndodhur në Mal të Zi, kjo nuk do të ndërrojë politikën me Kosovën.

“Në Mal të zi kanë ndodhur procese politike por kjo nuk do të ndërroj asnjë politikë ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogarit në Mal të Zi. Ne jemi të gatshëm të iu përkrahim aq sa janë mundësitë tona” – shtoi ai.

Ai tha se të dyja, ardhmërinë e shohim në Bashkimin Evropian.

“E vërtetë është që duhet të kryhen shumë detyra që të arrijmë që shtetet tona të bëhen anëtarë të plotë në BE. Mali i Zi dhe Kosova kanë treguar se në drejtësi dhe ekonomi kanë pasur shumë sukses” –tha tutje ai.

Abazoviq ka falënderuar Kurtin për mikpritjen, siç e quajti ai, të jashtëzakonshme.

Ai ftoi publikisht kryeministrin e Kosovës të vizitojë Malin e Zi duke thënë se Kurti është i mirëpritur në Podgoricë.

Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviq, kanë nënshkruar marrëveshjen për shërbime ajrore mes dy vendeve.

Abazoviq po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku po zhvillon takime me krerë institucionalë, biznese por edhe vizita në objekte fetare.

Kryeministri i Malit të Zi do të ketë një takim edhe me Aleancën e Biznesit të Kosovës, ku do të pritet nga kryetari Agim Shahini.

Abazoviq do të vizitojë edhe familjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe do të bëjë homazhe te varri i tij.

Pasditen e së shtunës Abazoviq do të takojë liderët opozitarë, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së, për të vazhduar me takime të tjera.

Abazoviq në Kosovë, takime me krerë institucionesh e biznesmenë, viziton edhe Patrikanën e Pejës