AAK konfirmon prezencën e Haradinajt në takimin me Kurtin e Osmanin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka konfirmuar pjesëmarrjen e kreut të saj, Ramush Haradinaj në takimin e ftuar për të hënën nga kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka ka thënë për KALLXO.com se kjo është vendosur pa konsultimeve në Kryesi.

“Pas konsultimeve në Kryesi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmon prezencën e kryetarit z. Ramush Haradinaj në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëndosje z. Albin Kurti për të hënën në ora 13:30 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti dhe Osmani.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

“PDK do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë ai.

Kurse, LDK ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimine ftuar për të hënën nga kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani.

Gentiana Azemi, zyrtare për media në LDK, ka thënë për KALLXO.com se për këtë do të vendosin pas procesit zgjedhor për kryetar të partisë.“Për këtë çështje LDK do të vendos pas Kuvendit të saj, dmth pasi që ta mbyllë procesin zgjedhor për kryetar të partisë”, thuhet në përgjigjen e saj.

Kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë ftuar Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që të diskutojnë më 15 mars për zhvillimet në vend dhe për krijimin e institucioneve.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ftojnë partitë në takim