AAK diskuton për draft-statutin e Asociacionit, komentet dhe vërejtjet do t'i publikojë ditëve në vijim
Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë së Kosovës sot ka zhvilluar një diskutim lidhur me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Në njoftimin e AAK-së është thënë se ky diskutim ka qenë ‘me tone shumë kritike’.
“Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror” – u tha në njoftim.
Tutje u shtua se komentet e vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim.
Tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë pranuar më 31 nëntor draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga SHBA-të dhe BE-ja.
SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.
Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.
Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Mirosllav Lajcak.
Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar sesa ai i vitit 2013.
Tri partitë opozitare e kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit