Varrezë në Srebrenicë - Foto: BETA

A i bëri Vuçiq presion liderit bullgar për të ndryshuar qëndrim për Srebrenicën?

Për shumë vjet, qëndrimi i Bullgarisë në politikë të jashtme ka qenë i qartë, mirëpo në momentet e fundit, para një votimi të rëndësishëm, të gjithë janë shqetësuar se situata do të mund të ndryshonte. Dhe e gjithë kjo, për shkak të presionit të një miku të presidentit rus, Vladimir Putin. Kjo është pikërisht ajo për çfarë është duke u akuzuar kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Glavçev, pas rrjedhjes së disa dokumenteve diplomatike? Për çka bëhet fjalë?

Gllavçev, Borisov, Vuçiq, Srebrenica. Këta katër emra kanë qarkulluar nëpër media në ditët e fundit dhe kanë ngritur shumë pikëpyetje.

Kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, është akuzuar se ka tentuar t’i bëjë presion përfaqësueses së përhershme të Bullgarisë në Kombet të Bashkuara, Lachezara Stoeva, për të ndryshuar qëndrimin e shtetit, në të mirë të Serbisë, para një votimi me rëndësi.

Sipas platformës hulumtuese, BIRD.bg, diçka e tillë ka ndodhur pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiqm ka lobuar te lideri i partisë GERB, Boyko Borisov.

Rasti kishte të bënte me rezolutën që e ka shpallur 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtar të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në atë ditë të vitit 1995, rreth 8.000 burra dhe djem boshnjakë janë vrarë prej forcave etnike serbe të Bosnjës në qytezën boshnjake, Srebrenicë.

Vrasja e tyre është njohur si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që funksionon në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe politika e Bullgarisë është në përputhje me atë të OKB-së, pasi e njeh këtë krim si gjenocid.

Megjithatë, platforma BIRD.org i ka publikuar të mërkurën disa dokumente diplomatike, sipas së cilave, në momentet e fundit, kryeministri në detyrë, Gllavçev, që është edhe ministër i Jashtëm, e ka udhëzuar përfaqësuesen e përhershme të Bullgarisë në OKB, që të ndryshojë qëndrimin e shtetit dhe të abstenojë rezolutën.

Shumë para ditës së votimit, Serbia është deklaruar kundër rezolutës dhe e ka nisur një fushatë, e cila është mbështetur edhe prej Rusisë.

Presidenti serb, Vuçiq, i cili mban lidhje të forta me presidentin rus, Vladimir Putin, ka shpesh qëndrime pro-ruse. Prandaj edhe Kremlini i ka përkrahur përpjekjet e liderit serb kundër njohjes së gjenocidit në Srebrenicë.

Të dyja shtetet votojnë shpesh në një linjë në OKB, bashkë me vende tjera si: Koreja e Veriut, Siria, Nikaragua dhe vende tjera.

Lideri bullgar, Gllavçev ka qenë për kohë të gjatë zëvendëskryetar i GERB-it, lideri i së cilës, Boyko Borisov, ka punuar ngushtë me presidentin serb, Vuçiq.

Pas votimit në OKB, vetë Vuçiq e ka pranuar se është befasuar me qëndrimin e Bullgarisë dhe ka pritur që ky vend nuk do ta përkrahte rezolutën.

Reagimin e tij e ka pasuar aleanca politike bullgare “Ne e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike”, e cila e ka parë veprimin e Gllavçevit për të “mbështetur politikën e jashtme pro ruse në OKB” si “plotësisht të papranueshme”.

Për më shumë se 24 orë, askush – përfshirë vetë Gllaveçevin dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme – nuk e kanë mohuar autenticitetin e dokumenteve të publikuara nga platforma BIRD.

Radio Evropa e Lirë u ka nisur pyetje institucioneve të përfshira, por nuk ka marrë përgjigje.

Si nisi gjithçka?

Më 22 maj, e përditshmja Dnevnik e ka publikuar një material, në të cilin është thënë se Serbia po tenton të ndikojë në qëndrimin e Bullgarisë përmes kanaleve jozyrtare, lidhur me votimin për gjenocidin në Srebrenicë.

Më vonë gjatë asaj dite, diplomati i aleancës bullgare “Ne e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike, njëherësh kandidat për Parlamentin Evropian, Stefan Tafrov, ka thënë përmes një postimi në Facebook se ai ka mësuar që Serbia po tenton të ndryshojë qëndrimin bullgar dhe ka insistuar që “Gllavçev nuk duhet të gjunjëzohet para presionit serb”.

Qeveria bullgare nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre thirrjeve.

Si është zhvilluar procesi i votimit?

Dy ditë më vonë, më 24 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar rezolutën që shpall 11 korrikun si ditë për përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë.

Përfaqësuesja e përhershme e Bullgarisë në OKB, Lachezara Stoeva ka votuar në të mirë të rezolutës.

Rezoluta është iniciuar prej Gjermanisë dhe Ruandës, dhe Bullgaria ka qenë në mesin e 32 vendeve bashkautore.

Në versionin e miratuar nuk përmenden kryesit e gjenocidit – forcat serbe të Bosnjës nën udhëheqësinë e gjeneralit Ratko Mlladiq dhe liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.

Megjithatë, rezoluta dënon “çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si ngjarje historike” si dhe “veprimet që madhërojnë ata që janë dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë”.

Transmetuesi britanik BBC ka thënë përmes një artikulli se njëra prej arsyeve për miratim të rezolutës është edhe mohimi i vazhdueshëm i fakteve historike lidhur me gjenocidin nga ana e nacionalistëve serbë.

Presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur masakrën në Srebrenicë si “krim të tmerrshëm”, mirëpo, as ai, dhe as vendi i tij, nuk e njohin aktin si gjenocid.

Politikanë tjerë serbë, sikurse lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, e kanë mohuar ndër vite që ajo që ka ndodhur në Srebrenicë ka qenë gjenocid.

Megjithatë, më 24 maj, 84 prej 193 vende anëtare kanë votuar për miratim të rezolutës, 19 kanë qenë kundër dhe 68 kanë abstenuar.

Pas miratimit, Vuçiq është deklaruar rreth qëndrimit bullgar.

“Kam shpresuar për një befasi prej Bullgarisë. Pesë minuta para takimit, kam qenë i bindur që Bullgaria do të abstenonte”, ka thënë presidenti serb.

Çfarë thuhet në dokumentet diplomatike që po qarkullojnë?

Të mërkurën, platforma BIRD i ka publikuar disa dokumente diplomatike, në të cilat bëhet e qartë se kanë ekzistuar përpjekje për të ndryshuar pozicionin e Bullgarisë në të mirë të interesave serbe.

Njëra prej dokumenteve është ajo që kryeministri në detyrë, Dimitar Gllavçev ia ka dërguar përfaqësueses së Bullgarisë në OKB, Lachezara Stoeva, më 23 maj, vetëm një ditë para votimit.

Në të, ai e udhëzonin Stoevan që të përdorë abstenimin, në kundërshtim me politikën e Sofjes deri më tani.

Gllavçev e ka arsyetuar ndryshimin e qëndrimit me argumentet e njëjta që kanë përdorur Serbia dhe Rusia për të mos mbështetur rezolutën – që momenti nuk është i përshtatshëm, për shkak të “situatës së tensionuar” në botë, dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në dokumentin e dytë të publikuar nga BIRD është përgjigja e Stoevas.

Në të, ajo ka treguar që do t’iu qëndrojë besnike opinioneve fillestare dhe do të votojë për të miratuar rezolutën.

Ajo, po ashtu, e shpreh qartë që kërkesa e Gllavçevit duket se është rezultat i “presionit të jashtëm”.

“Ndryshimi i pozicionit, duke marrë parasysh rrethanat e ngritura [teksti i rezolutës është zbutur dhe balancuar] është akt ekstrem që mund të arsyetohet vetëm me presion të jashtëm dhe që do të mund të shkaktojë dëm të madh në imazhin e Bullgarisë në skenën ndërkombëtare”, është thënë në dokument.

Stoeva, ka thënë, po ashtu, se një qëndrim i tillë është në kundërshtim me vlerat euro-atlantike.

“Duke marrë parasysh faktin që Serbia dhe Federata Ruse kanë lobuar vazhdimisht kundër rezolutës, përfundimi i vetëm i mundshëm që mund të nxjerrë faktori ndërkombëtar është se qëndrimi ynë ka ndryshuar si rezultat i presionit të Serbisë apo Federatës Ruse, sidomos për faktin që arsyetimet për të marrë pozicionin e abstenimit, janë përsëritje e argumenteve të Federatës Ruse dhe Serbisë”, është thënë mes tjerash në letër.

Reagimet politike

Platforma BIRD ka shprehur bindjet që ky rast nuk ka të bëjë me iniciativën e Gllavçevit, por me udhëzimet që ia ka dhënë ish-shefi i partisë GERB, Boyko Borisov.

Borisov, i cili ka qenë kryeministër i Bullgarisë për tri vjet, pati krijuar lidhje të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Të dy kanë bashkëpunuar nga afër për projektin Rrjedha Turke, falë së cilit Rusia – përmes Ukrainës – tani furnizon Evropën Qendrore dhe Lindore me gaz natyror.

Për këtë arsye projekti është kritikuar si diçka që u ka shërbyer interesave ruse.

Pas rrjedhjes së dokumenteve dhe akuzave kundër Gllavçevit, në pasditen e së mërkurës ka reaguar edhe aleanca “Ne e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike”.

Aleanca ka thënë se kryeministri në detyrë e ka për detyrë që të japë një sqarim publik për “tentimet e palejueshme për të ndryshuar pozicionin bullgar” për Srebrenicën dhe për të mbështetur “politikën e jashtme pro-ruse”.

“Akti i Gllavçevit është një tjetër dëshmi se GERB dhe Lëvizja për të Drejta dhe Liri, janë parti euro-atlantike vetëm me fjalë, mirëpo me vepra ato i shërbejnë regjimit të Putinit, siç ka ndodhur më shumë se një herë në 15 vjetët e fundit kur janë ndërtuar gazsjellës dhe janë nënshkruar kontrata për gaz”, ka thënë aleanca, Ne e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike”.

Diplomati i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, Stefan Tafrov, ka thënë që “nëse Gllavçev me të vërtetë ka vepruar kështu, “insistoj që ai menjëherë të ofrojë dorëheqje”.

Deri më tani, Gllavçev, si dhe figura tjera të larta politike, nuk e kanë komentuar këtë rast.

Radio Evropa e Kurë ka dërguar kërkesë për koment në Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe misionin e Bullgarisë në OKB, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikim të këtij materiali./REL