Ilustrim - Arkiv - Tymtarët e TC Kosova A

A është Vetëvendosje kundër termocentraleve me qymyr, flet Liburn Aliu

I ftuar në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka folur në lidhje me termocentralet me qymyr në Kosovë.

Aliu tha se Kosova duhet të ketë të siguruar bazën e energjisë, e që sipas tij, nëse është i nevojshëm termocentrali për këtë do të ndërtohet.

“Me aq sa di, potencialet e qymyrit në vendin tonë mbase edhe duhet të shfrytëzohen, por duhet pasur parasysh aspektin mjedisor. Nëse e gjithë energjia në vendin tonë do të ishte alternative, me diell, me erë, është një garancion i sigurisë së energjisë të cilin jo gjithmonë me energji alternative mundesh me e siguru, janë termocentralet që ta garantojnë”, tha ai.

“Për me e siguru këtë bazën nën të cilën nuk guxojmë me ra dhe nëse kemi me pasë nevojë për një termocentral të ri për të siguruar bazën e energjisë në vend, po, do të ketë një termocentral të ri, por natyrisht do të shkojë në minimumin e nevojshëm, do t’i ketë parasysh elementet mjedisore që duhet të respektohen”, deklaroi ministri Aliu.