Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në Kosovë. Foto: Shkodrane Dakaj

8-orëshi i Bërnabiqit në Kosovë

Dy minuta para se të shënonte ora 10:00 e ditës së sotme, për herë të parë në territorin e Kosovës ka hyrë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e shoqëruar nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq dhe drejtori i zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Mihal Jovanoviq.

Duke u respektuar marrëveshja me Republikën e Kosovës, eskortës së Bërnabiqit iu mbuluan simbolet serbe në tagrat e veturave me të cilat ajo dhe shoqëruesit e saj do të lëviznin gjatë gjithë ditës.

Nën vëzhgimin e rojeve të saja, e e përcjellë nga forca të shtuara të Policisë së Kosovës, Bërnabiq nisi vizitat që kishte planifikuar në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Simbolet serbe të mbuluara në eskortën e kryeministrës së Serbisë, Ana Bërnabiq. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Destinacioni fillestar i kryetares së Qeverisë së Serbisë ishte qendra e parë multimediale e Mitrovicës së Veriut, ku Bërnabiq u prit nga pëfaqësuesit e Listës Serbe, e nga përfaqësues të tjerë të insititucioneve që punojnë në sistemin serb.

Dhjetëra qytetarë ishin mbledhur aty, e me pankarta në duar i shprehën mirëseardhje kryeministres së shtetit fqinj.

“Deri sa kemi Vuçiqin dhe Anën tonë, nuk frikësohemi nga asgjë”, “Kryeministre, vizita juaj për ne është nder i madh!”, “Vendet tona të punës janë meritë e shtetit të Serbisë”, “E kemi një kryeministre Ana Bërnabiq” – thuhej në disa nga këto pankarta.

Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Brenda qendrës-para mediave, e jashtë qendrës-para qytetarëve, Bërnabiq mbajti fjalime.

Një nga çështjet që ajo përmendi ishte dialogu mes dy shteteve, Kosovë e Serbi, duke vazhduar me pretendimet e saj se serbët në Kosovë keqtrajtohen.

“Dialogu është i rëndësishëm, dialogu ndërmjetë Beogradit dhe Prishtinës. Kur ka dialog, ka shumë më pak shanse për ndonjë lëvizje të njëanshme dhe për keqtrajtim të mëtejshëm të serbëve në Kosovë. Dhe, prandaj, kemi qenë gjithmonë të gatshëm dhe prandaj jemi gjthmonë të gatshëm për dialog” – u shpreh kryetarja e Qeverisë së Serbisë para mediave.

Madje, ‘kërkesa’ e saj drejtuar ‘institucioneve të Prishtinës’ ishte që t’i përkushtohen dialogut dhe gjetjes së një kompromisi të caktuar për marrëdhëniet në mes dy vendeve.

“Unë sinqerisht dhe thellësisht shpresoj që institucionet në Prishtinë do t’i përkushtohen dialogut dhe gjetjes së një kompromisi të caktuar, i cili është i domosdoshëm për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – tha ajo.

Bërnabiq para qyetarëve serbë në zonën veriore të Kosovës tha se kërkojnë paqe, stabilitet dhe siguri për serbët e Kosovës.

“E themi gjithmonë: Paqe dhe stabilitet, gati me çdo çmim. Vijë e kuqe është siguria juaj, e njerëzve tanë në Kosovë” – tha ajo.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në Mitrovicën e Veriut në Kosovë. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte një kërkesë tjetër e kryeministres së Serbisë. Ajo theksoi se tani është koha e duhur për t’u bërë diçka e tillë.

Me të përfunduar vizitën e saj në Mitrovicën e Veriut, Bërnabiq me shoqëruesit e saj, me zyrtarët e Policisë së Kosovës e me mbrojtjen e afërt u nisën për në Zveçan.

Ndalesa e parë e tyre në këtë qytet do të ishte Manastiri i Banjskës. Aty, Bërnabiq, përpos zytrtarëve do të takohej me krerët fetarë të këtij manastiri e do të pritej me valle e këngë të kulturës serbe.

Në prezencën e qytetarëve të pranishëm, kryeministrja e Serbisë tha se “nuk ka bisedime të mëtejshme pa formimin e Asocacionit”, pasi sipas saj kështu ‘do të normalizoheshin marrëdhëniet mes dy palëve’.

Tutje ajo vazhdoi në një nga lokalet e këtij qyteti për të qëndruar për më shumë se një orë e më pas të nisej për në komunën e fundit me shumicë serbe që ajo do e vizitonte.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në Manastirin e Banjskas në Zveçan. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Leposaviqi ishte destiancioni i fundit ku eskorta e Bërnabiqit do të ndalej. Mesazhet e njëjta u dhanë edhe për qytetarët serb të kësaj komune të Kosovës.

“Paqe dhe stabilitet” – shprehej ajo.

Bërnabiq, pas vizitës që pati në një familje serbe e te një firmë në këtë qytet, u nis prapë prej nga kishte ardhur.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në Kosovë. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Ishte ora 17:53 kur ajo kaloi prapë në pikën kufitare të Jarinjës por tash në drejtim të Serbisë.

Një vizitë zyrtare siç pati Bërnabiq në Kosovë, patën në Luginë të Preshevës edhe vartësit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti: zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Vizita në Luginën e Preshevës ishte një nga pyetjet që mori Kurti para disa ditësh gjatë një konference për media. Përderisa përgjigjja e tij ishte se një ditë do ta vizitojë por nuk tregoi se kur.

KALLXO.com i dërgoi pyetje Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për të kuptuar se pse kjo vizitë nuk ndodhi nga Kurti ose a ka në plan që ta bëjë një vizitë zyrtare, por deri në publikimin e këtij artikulli ZKM nuk ktheu përgjigje.

Gjatë qëndrimit në Luginën e Preshevës, dy zyrtarët e lartë shtetërorë, Besnik Bislimi dhe Arbërie Nagavci, nuk u takuan me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Ai, në një intervistë për KALLXO.com tha se nuk ka pranuar fare kërkesë për takim nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës.

“Hiç s’kam pasë, s’kemi pasë hiç kërkesë dhe kjo nuk është e para herë, qysh nga ndryshimi i pushtetit lokal në prill të këtij viti, është njëjtë. Ne i kemi bërë kërkesë zyrtare edhe Qeverisë Kurti edhe presidentes Osmani, por ende nuk kemi përgjigje” – deklaroi ai.

Në anën tjetër, gjatë qëndrimit në Luginë, zv.kryeministri Bislimi dhe ministrja Nagavci shpërndanë libra falas për fëmijët shqiptarë.

Vizitat zyrtare të përfaqësuesëve të dy shteteve fqinje erdhën pas Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshje që të mos lëshohen më dokumente hyrëse/dalëse, të cilat lëshoheshin për qytetarët e Kosovës nga autoritetet serbe që nga 2011,  por të njihen letërnjoftimet në mes shteteve.

Qeveria e Kosovës, më 29 qershor kishte marrë vendim që të fillohej që të lëshohen dokumente hyrëse/dalëse për shtetasit serbë që do hynin në Kosovë.

Vendimi ishte paraparë që të hynte në fuqi më 1 gusht 2022, mirëpo ende pa u shënuar ende mirë kjo datë disa serbë lokalë në veri filluan rebelimin e tyre.

Në nëntë lokacione të ndryshme u ngritën barrikada, e madje organet e rendit konfirmuan zyrtarisht që në zhvillimin e këtyre tensioneve pati edhe persona që u sulmuan.

Me qëllim të zbutjes së situatës, Qeveria mori vendim që të shtyhej ky vendim për një datë tjetër, 1 shtator 2022.

Mirëpo, 3 ditë para se të hynte në fuqi një vendim i tillë, më 27 gusht dy vendet fqinje arritën marrëveshjen për heqjen e dokumenteve hyrëse-dalëse.

29 qershori 2022 nuk kishte sjellur në pah vetëm këtë vendim, atë ditë Qeveria e Kosovës kishte vendosur po ashtu që të gjitha targat ilegale në Kosovë të regjistrohen në targa legale, ato RKS.

Vendimi për targat hyri në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 31 tetor 2022.