6 të infektuar me COVID-19, 5 të shëruar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se sot në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 191 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Sipas Institutit, me sëmundjen COVID-19 janë diagnostikuar gjithsej 6 raste.

Sipas njoftimit, rastet pozitive janë raste kontakti: 2 raste me vendbanim në Prizren, 2 raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe 2 raste nga komuna e Pejës – sipas vendbanimit: 1 në Pejë dhe 1 në Llugaxhi.

IKShPK thotë se sot nga Klinika Infektive është raportuar 1 rast të vdekjes, një grua 40 vjeçe nga Gjakova dhe e konfirmuar me COVID-19 më 15.4.2020. Pacientja ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe trajtuar në Mjekimin Intenziv me Dg.COVID-19, Graviditas hbd 28.

Po ashtu, sipas njoftimit, Komuna e Zveçanit dhe Leposaviqit kanë raportuar nga 1 rast të vdekjes.

Instituti njofton se sot janë shëruar edhe 5 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 128.

Nga data 08 shkurt deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej gjashtëqind e katër (604) raste, ndërsa gjithsej tetëmbëdhjetë (18) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6.514 kontakte të rasteve.