5 vendimet e Kushtetueses që ‘dridhën’ skenën politike në Kosovë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë ka marrë shpeshherë vendime të cilat kanë ndërruar “lojën” në zhvillimet politike në vend.

Një nga këto është edhe vendimi i fundit për shpalljen jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Mirëpo, në të kaluarën Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë vendime të cilat kanë prekur zyrtarë të lartë shtetërorë.

Pasojat e këtyre vendimeve kishin ndërruar zhvillimet politike në Kosovë.

Këto vendime kanë çuar shpesh vendin në zgjedhje.

KALLXO.com u është kthyer 5 vendimeve më të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese ndër vite.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Fatmir Sejdiut

Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar si shkelje të Kushtetutës faktin që Fatmir Sejdiu përveç pozitës së presidentit të Republikës së Kosovës kishte mbajtur edhe pozitën e kryetarit të LDK-së.

Fakti që Fatmir Sejdiu kishte ngrirë pozitën e kryetarit të LDK-së nuk kishte peshë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatë Kushtetuese më 2010 e shtyu LDK-së që të dalë nga koalicioni me PDK që kishte në atë kohë.

Vendimi i Kushtetueses për rastin e Behgjet Pacollit

Vendi shkoi në zgjedhje dhe atë vit PDK fitoi zgjedhjet e parakohshme. Qeverinë e krijoi së bashku me AKR-në, me të cilën ishin dakorduar që pozitën e presidentit do ta mbante Behgjet Pacolli.

Mirëpo, pak muaj prej emërimit të tij në pozitën e presidentit, atë e kishte ndjekur fati i Fatmir Sejdiut.

Mënyra e zgjedhjes së tij ishte shpallur antikushtetuese. Gjykata kishte gjetur se në momentin e votimit nuk ishte plotësuar kuorumi prej 80 deputetëve të pranishëm, pasi kishin qenë vetëm 67 deputetë.

Pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në Presidencë kishte ardhur Atifete Jahjaga, si presidente konsensuale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Isa Mustafës kryetar Kuvendi

Në zgjedhjet e vitit 2014, PDK kishte dalë e para në zgjedhje, por asnjë nga partitë e tjera nuk dëshironin të bashkëpunonin për krijimin e Qeverisë.

Partitë jofituese ishin bërë bashkë kundër PDK-së dhe në seancën konstituive zgjedhën Isa Mustafën kryetar të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur antikushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës duke thënë së kryetari i Kuvendit propozohet nga partia fituese e zgjedhjeve dhe këtë mundësi nuk e ka askush tjetër.

6 muajt e krizës politike të asaj kohe dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese çuan LDK-në në koalicion me PDK-në.

Isa Mustafa kryeministër, Kadri Veseli kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi president pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës.

Po ashtu, edhe bordet që do duhej të ishin apolitike, në marrëveshje ishin ndarë 50/50.

Vendimi i Kushtueses për rrugën pas rrëzimit të Qeverisë Kurti

Pas votimit për rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit në Kuvend të Kosovës, presidenti Thaçi nuk kishte shpërbërë Kuvendin por kishte kërkuar nga Kurti që të dërgonte një emër tjetër për kryeministër.

Vetëvendosja si parit fituese nuk kishte dërguar asnjë emër dhe Thaçi kishte kërkuar nga të tjerët se kushdo që i ka votat do ta nominojë kandidatin e tyre për kryeministër.

LDK bashkë me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate plus minoritetet formuan Qeverinë me 61 vota.

Vetëvendosje ishte ankuar në Gjykatë Kushtetues dhe procesi ishte stopuar deri në vendimin e saj. Gjykata në fund kishte refuzuar kërkesën e LVV-së dhe kishte deklaruar se pas rrëzimit të Qeverisë mund t’i jepet e drejta të tjerëve të formojnë Qeverinë.

Hoti u zgjodh kryeministër më 3 qershor 2020.

Vendimi për shpalljen antikushtetuese të Qeverisë Hoti

Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese votimin e Qeverisë Hoti, pasi që deputeti Etem Arifi ishte i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata.

Gjykata Kushtetuese pas disa muajve trajtim të çështjes, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar publikoi vendimin që e shpall antikushtetuese zgjedhjen e Qeverisë dhe obligoi Zyrën e Presidentit t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 40 ditëve.

Publikimi i plotë i aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese sot ka mundësuar numërimin së prapthi të afatit 40-ditor deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Ditëve në vazhdim, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani pritet të marrë vendimin për të shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme.