Albin Kurti - Foto: ZKM

Megjithatë, Vetëvendosje thotë se Albin Kurti do t’i prijë listës

Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot aktgjykimin e plotë që shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Këtë aktgjykim disa palë e kanë lexuar edhe për të dhënë opinion për një situatë tjetër, duke thënë se Albin Kurti, i cili është i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, nuk do të mund të kandidojë për deputet.

Kjo deri më tash ende nuk është qartësuar përfundimisht.

Mirëpo, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu është një nga të dënuarit për hedhje të gazit lotsjellës, ka shkruar sot se Albin Kurti do të jetë ai që do i prijë listës për deputetë.

“Këto ditë caktohet data e zgjedhjeve të reja që do të jenë manifestim solemn i demokracisë ku Lëvizja VETËVENDOSJE!, listës që do t’i prijë Albin Kurti do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore”, ka shkruar Albulena Haxhiu në Facebook.

“Në anën tjetër tentativa për të krijuar rrethana të paqena, të pabaza dhe të pasakta duke i futur gjithë dhe të gjitha veprat në një thes është e papranueshme dhe e gabueshme”, ka shkruar tutje ajo.

Vota e Hetem Arifit për Qeverinë Hoti, i cili ishte i dënuar me vendim përfundimtar të Gjykatës, po e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.