Foto: Facebook/KFOR

4 zyrtarë të KFOR-it të infektuar me COVID-19

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi ka njoftuar se dje ka evakuuar nga Kosova një zyrtar të saj dhe tre pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kroacisë, të cilët ishin pjesë e misionit të KFOR-it.

Arsyeja e evakuimit ishte se ata rezultuan pozitivë pas testeve për COVID-19.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, gjendja e 4 të infektuarve është e mirë dhe dhe trajtimi do të vazhdojë në vendet e tyre përkatëse.

Ministria njoftoi se në frymën e marrëdhënieve të mira me aleatët, Ushtria malazeze u ofroi kolegëve nga Kroacia ndihmë për evakuimin e ushtarëve. 3 ushtarët kroatë janë transportuar me helikopter të Forcave Ajrore të Ushtrisë malazeze për në Split.

Deri më tani, në Kosovë janë 731 të infektuar me COVID-19, prej tyre 165 janë shëruar dhe 20 kanë vdekur.

Në mesin e të infektuarve ka pasur edhe punonjës në bazën e ushtrisë amerikane Bondsteel.