3 ndeshje, 7 gola, 3 kartonë të kuq, barazim në Gjilan e dramë në Prishtinë

Kanë përfunduar tre takimet e ditës së sotme në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll. Në tre ndeshjet një fitore u takoi vendasve një mysafireve ndërsa derbi mes Gjilanit dhe Ballkanit përfundoi baras.

Dukagjini fitoi me rezultat 2 me 0 kundër Malishevës, me golat e futbollistëve Arbër Shala në minutën e 60 të takimit dhe me golin e Granit Elezaj në minutat e fundit të ndeshjes. Malisheva që nga minuta e 11-të mbeti me 10 lojtarë në fushë pas largimit të Ardian Hotit.

Ne derbin e zhvilluar në Gjilan midis Gjilanit dhe Ballkanit pos dy golave të shënuara pati edhe 1 karton të kuq për nikoqirët.

Ishte minuta e 56-të e ndeshjes kur futbollisti Besar Musolli u ndëshkua me karton te kuq por përkundër kësaj një minutë më vonë, Gjilani kaloi në epërsi përmes Gerhard Prognit. Shtatë minuta më vonë Ballkani arriti të barazoj rezultatin me golin e Nazmi Gripshit.

Në kryeqytet ndodhi një dramë e vërtetë në fund të takimit. Deri në minutën e 90-të Prishtina ishte duke fituar me rezultat minimal, por në fund humbi 1 me 2.

Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 22 me golin e Besnik Krasniqit të realizuar nga penaltia. Në minutën e 89 – të Gauthier Makenda u ndëshkua me karton të kuq duke e lenë Prishtinën me 10 futbollistë në fushë.

Llapi nuk u dorëzua dhe fillimisht në minutën e 93-të barazoi rezultatin me Kastriot Selmanin dhe kur u mendua që ndeshja do të përfundonte me barazim, Valmir Veliu shënoi për rezultatin përfundimtar, Prishtina 1, Llapi 2.