Objekti i Klinikës së Gjinekologjisë. Foto: KALLXO.com

28 gra shtatzëna të infektuara me COVID-19, tri prej tyre në gjendje të rëndë

Rastet pozitive me virusin corona janë duke shënuar rekord. Rekord i të infektuarve është shënuar edhe në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në këtë klinikë janë të infektuara 28 gra shtatzëna.

Për me pak se 24 orëve në këtë klinikë janë shtuar edhe katër paciente të infektuara me SARS-CoV-2, nga të dhënat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të publikuara 22 orë më parë thuhet se në këtë klinikë janë të shtrira 24 gra.

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, tha se një numër kaq i lartë i grave shtatzëna të infektuara me coronavirus nuk është shënuar asnjëherë më parë.

“28 i kemi krejt janë të infektuara me COVID. Me oksigjeno – terapi janë nëntë, tri prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Nuk ka pas kurrë më shumë”, tha ai për KALLXO.com

Në këtë klinikë janë edhe 17 shtretër të lirë.

Përveç Gjinekologjisë pacientë të infektuara me coronavirus janë duke u trajtuar edhe në gjashtë klinika tjera të QKUK-së, në klinikën Infektive, në Interno, në Mjekësin Sportive, Mjekimin Intensiv Qendror, Pulmologji e Pediatri si dhe në shtatë spitalet rajonale në vend.

Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë e ditur se 50 fëmijë të moshës 0 deri në 9 vite janë infektuar me COVID-19, të infektuar poashtu kanë rezultuar 239 fëmijë të grupmoshës 10 deri 19.

13 fëmijë të infektuar janë të shtrirë në Pediatri në QKUK.

Më 13 mars të vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar dy rastet e para të infektimit me coronavirus, dhe për më tepër se një vit në nivel vendi janë prekur nga ky virus 137 mijë e 52 qytetarë përderisa 2 mijë e 387 kanë vdekur.

18 të vdekur me COVID-19 mbi 2 mijë të infektuar për 24 orë