Prishtina. Pamje nga droni: BIRN

25-vjetori i çlirimit të Kosovës, Policia kërkon mirëkuptim për ndëprerje të qarkullimit në disa rrugë

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në vend do të mbahen aktivitete si dhe do të ketë vizita të personaliteteve të ndryshme ndërkombëtare.

Për këtë arsye, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve pasi siç thonë, në intervale të caktuara do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative.

“Për nderim ndaj vendit tonë në këtë ngjarje do të marrin pjesë personalitete të rëndësishme vendore, rajonale e ndërkombëtare. Delegacionet e miqve të ftuar, do të kenë lëvizje bazuar në agjendat e parapara duke filluar nga 10 qershor deri me 13 qershor 2024”- thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës thotë se do të kujdeset për sigurinë dhe lëvizjen e eskortave të personaliteteve sipas itinerarit nëpër rrugë të ndryshme, duke përfshirë vendkalimet kufitare, Aeroportin ndërkombëtar “ Adem Jashari” dhe rrugët të cilat të shpien në drejtim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Nga qytetarët e vendit dhe pjesëmarrësit në trafik kërkojmë mirëkuptim…”- thuhet mes tjerash në njoftim.