Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasje të Tirumf Rizës 30.08.2023- FOTO: Laurant Berisha- KALLXO

Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasje të Tirumf Rizës (30.08.2023) - FOTO: Laurant Berisha- KALLXO

16 vjet nga vrasja e Triumf Rizës, shtyhet seanca gjyqësore ndaj Enver Sekiraqës

30 gushti i këtij viti shënon 16 vjetorin e vdekjes së të ndjerit Triumf Riza, i cili sipas aktakuzës së prokurorisë ishte vrarë nga Arben Berisha.

Sipas aktakuzës, Enver Sekiraqa kishte nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor më Shërbimin Policor të Kosovës.

Seanca ndaj Sekiraqës, e paraparë të mbahet sot është shtyrë për 29 shtator të këtij viti.

Shtyrja e seancës u bë pasi që prokurori Burim Qerkini kishte ardhur për ta zëvendësuar prokuroren e rastit Merita Bina – Rugova, për shkak të një urgjence.

Prokurori Qerkini, gjykatës i dorëzoi një listë me prova materiale të cilën e kishte përgatitur prokurorja e rastit, Merita Bina – Rugova.

Meqenëse prokurori Qerkini ishte në zëvendësim të prokurores së rastit Merita Bina – Rugova, i njëjti nuk u lëshua në elaborimin e provave materiale.

“Ne sot kemi marrë nga Prokurorja e rastit, këtë listë të provave materiale dhe sigurisht se nuk jemi të gatshëm ta elaborojmë secilën provë” – tha prokurori Qerkini.

Edhe avokatja Enver Sekirqaës, Kosovare Kelmendi kërkoi nga Gjykata që administrimi i provave mos të kaloj pa u elaboruar dhe arsyetuar secila provë veç e veç.

“Është më se e nevojshme që kjo listë e prezantuar e provave të mos shkojë si paket për t’u administruar, pa u elaboruar një nga një” – tha avokatja Kelmendi.

Paraprakisht me të filluar shqyrtimi gjyqësor, Gjykata njoftoi palët që nuk prezenton në gjykatore i ati i Triumf Rizës, Shefqet Riza.

Gjyqtari Agim Kuçi njoftoi se babi i Triumfit, Shefqet Riza kishte njoftuar gjykatën për mos-prezencën e tij me arsyetimin se sot është përvjetori i vdekjes së të birit.

“Mungon i dëmtuari Shefqet Riza i cili para fillimit të këtij shqyrtimit gjyqësor përmes telefonit ka njoftuar gjykatën se i njëjti nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm pasi që është përvjetori i vrasjes se djalit të tij” – tha gjyqtari Kuçi.

Në seancën e 11 korrikut të këtij viti, në fazën e administrimit të provave materiale, prokurorja e rastit Merita Bina – Rugova, kishte kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër sepse e njëjta nuk kishte qenë në gjendje të elaborojë provat materiale për shkak të volumit të madh të lëndës.

Poashtu, edhe seanca e datës 4 gusht të këtij viti, ishte shtyrë pas kërkesës së avokates mbrojtëse të të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Kujtojmë që Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës.

Herën e parë ( 17.05.2016) i njëjti ishte dënuar me 37 vite dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar ( 16.09.2019) me 30 vite dënim me burgim.

Çfarë thotë aktakuza?

KALLXO.com kishte siguruar akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës që u krye nga Arben Berisha, njeriu i besueshëm i Sekiraqës.

Në këtë akuzë thuhet se më 30 gusht 2007 në Prishtinë, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor më Shërbimin Policor të Kosovës.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit këtë e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjell lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në akuzë kundër Enver Sekiraqës.

Triumf Riza, sipas kësaj akuze është vrarë pasi gjatë viteve që kanë shpirë deri të vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.

Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismajlin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.

Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismjalin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.

Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Sëiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.

Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh. Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vet Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me të ndjerin.

Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës

Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policor që të sulmonin Sekiraqën.

Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke përpjekje për ta lënduar dhe frikësuar.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.