Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

16 persona kanë aplikuar për pozitën e drejtorit të RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka njoftuar se 16 persona kanë aplikuar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Sipas njoftimit, përpilimi i listës do të bëhet brenda afatit prej tetë ditësh.

“Sipas procedurave përkatëse ligjore, hapja e zarfeve dhe përpilimi i listës do të bëhet brenda afatit prej tetë ditësh”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje me procedurat dhe ecurinë e procesit të konkursit në njoftim thuhet se bordi do të njoftojë me kohë dhe në mënyrë transparente.

Ndër të tjera, bordi fton organizatat e shoqërisë civile që të monitorojnë procesin e vlerësimit.

Ndryshe, bordi i RTK-së kishte hapur konkurs për drejtor të përgjithshëm pasi kishte shkarkuar nga pozita e drejtorit Ngadhnjim Kastratin në janar të këtij viti.