Prapaskenat e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së 

Shkumbin Ahmetxhekaj është kandidati më i poentuar në testin me shkrim dhe intervistën e realizuar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në RTK, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka marrë 80.7 pikë në testin me shkrim dhe 78 pikë në intervistë, pra në total ai është vlerësuar me 158.7 pikë. 

I dyti, pas dy fazave të testimit, është renditur kandidati Bekim Hasani, që ka marrë 79.4 pikë në testin me shkrim dhe 76.2 pikë në intervistë, apo në total 155.6 pikë.

Ndërsa kandidati Gjergj Filipaj është rënditur i treti nga gjashtë kandidatët e intervistuar duke grumbulluar 133.4 pikë, 63.9 pikë në test me shkrim dhe 64.1 pikë në intervistë. Arben Berisha është renditur i katërti me 131 pikë, i pasuar nga Adriana Kutllovci me 90.1 pikë. 

Në fazën e intervistimit kishin kaluar edhe tre kandidatët Fisnik Dërguti, Hysen Hundozi dhe Fadil Hoxha, mirëpo të njëjtit janë tërhequr nga gara, një ditë para intervistave duke pretenduar se procesi është kurdisur për të fituar Ahmetxhekaj.

Sipas deklaratave të tre kandidatëve të tërhequr, një nga arsyet e tërheqjes së tyre ka të bëjë me të dhënat që dolën në pah pas kërkesës së BIRN-it për qasje në listat e vlerësimit të kandidatëve nga secili anëtar i bordit. Pas publikimit të tyre u zbulua që 3 anëtarë të bordit, të ulur afër njëri-tjetrit kanë vendosur pikë krejtësisht të njëjta për Ahemtxhekajn, në të gjitha 11 pyetjet që i kishte testi.  

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar për dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së të dhëna në testin me shkrim. 

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN e ka monitoruar konkursin për drejtor të Përgjithshëm të RTK-së në të gjitha fazat e rekrutimit: shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve, testin me shkrim, shikimin e testeve me shkrim nga kandidatët dhe intervistat. Të gjitha detajet për të tri fazat e rekrutimit janë grumbulluar në këtë artikull.

Procesi i përpilimit të listës së ngushtë

Bordi i RTK-së që ishte në rolin e Komisionit Vlerësues në përbërje të: Besnik Boletini –  kryetar; Arta Berisha – nënkryetare; dhe anëtarët Safet Kabashaj, Fatime Lumi Qehaja, Driton Hetemi, Albulena Mehmeti, Bekim Sele, Shukrije Rama dhe Ivan Radulovic, e kanë udhëhequr procesin e rekrutimit për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës – RTK.

Nga monitorimi i këtij procesi, në fazën e shqyrtimit të dokumentacioneve dhe përpilimit të listës së ngushtë, BIRN ka vërejtur se Komisioni Vlerësues ju ka dhënë një mundësi shtesë kandidatëve për plotësim të dokumentacionit në mënyrë që të mbeten në garë.

Në konkurs ka qenë e paraparë që kandidatët të cilët synojnë këtë pozitë, gjatë aplikimit t’i dorëzojnë këto dokumente: a. një CV, b. dëshmitë e kualifikimit në origjinal ose të noterizuara, (për diplomat e fituara jashtë vendit duhet të dorëzohet vendimi për nostrifikim në origjinal ose i noterizuar), c. certifikatën e lindjes në origjinal ose të noterizuar, një kopje të letërnjoftimit, një letër motivuese, dy referenca, g. dëshmi të përvojës, h. dëshmi që nuk është nën hetime të lëshuar gjatë muajit të fundit para aplikimit në origjinal ose të noterizuar, si dhe Aplikacionin.

Mirëpo gjatë kësaj faze, nga monitorimi i BIRN është vërejtur se edhe përkundër faktit që disa nga kandidatët nuk e kanë plotësuar në tërësi dokumentacionin e aplikimit si dorëzimin e dëshmisë së punës apo të kualifikimit universitar të diplomave të nostrifikuara, përkundër kësaj komisioni kandidatëve u ka dhënë edhe një mundësi të dytë për plotësim të dokumentacionit.

Kandidatëve Burhan Lata, Mehmet Kalisi, Fitore Miftari, Zenel Hajdini, Hysen Hundozi, Orhan Hajrizi, Fahredin Shehu dhe Arben Berisha u është kërkuar që të sjellin dokumentet e munguara në mënyrë që të njëjtit të kalojnë në fazën e testimit.

Pas mundësisë së dytë që u dha kandidatëve nga Komisioni Vlerësues, kandidatët: Hysen Hundozi, Arben Berisha, Orhan Hajrizi, Fahredin Shehu arritën që ta kompletojnë dokumentacionin dhe të kalojnë në fazën e testimit me shkrim.

Ndërsa kandidatët: Mehmet Kalisi, Zenel Hajdini, Fitore Mehmeti dhe Burhan Lata u eliminuan nga gara.

Procesi i testimit me shkrim

Pas përpilimit të listës së ngushtë, testimi me shkrim i kandidatëve u mbajt më 7 mars.

Testimi zgjati 1 orë dhe kandidatët iu nënshtruan pyetjeve rreth kompetencave, përgjegjësive dhe detyrave të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, si dhe njohurive të përgjithshme rreth RTK-së.

Në testim me shkrim, nga 12 kandidatë sa kishin kaluar në këtë fazë, u paraqiten 11 prej tyre. Kandidatja Remzije Zeqiraj nuk u paraqit në fazën e testimit me shkrim.

Gjatë testimit me shkrim, të pranishëm në sallë ishin anëtarët e komisionit Fatime Lumi – Qehaja dhe Shukrije Rama. Pas përfundimit të testimit dhe pas largimit të kandidatëve, në sallë u paraqiten menjëherë të gjithë anëtarët e Komisionit.

Të njëjtit pas konsultimit paraprak, menjëherë filluan me kontrollimin dhe vlerësimin e testeve me shkrim.

Secili nga anëtaret e Komisionit pati para vetës çelësin e përgjigjeve në bazë të cilit do të duhej të bëhej vlerësimi. Ata për secilin kandidat kishin nga një fletë për të vendosur pikët për secilën përgigje të kandidatëve.

Por ajo cka u vërejt nga monitoruesit, ishte fakti se përkthyesi për Ivan Radulovic, anëtarin serb të bordit të RTK-së nuk ka përkthyer gjatë gjithë kohës. Përkthyesi ka qëndruar në sallën ku janë kontrolluar testet mirëpo nuk ka përkthyer gjatë gjithë kohës dhe anëtari tjetër i komisionit vlerësues Safet Kabashaj i ka ndihmuar në përkthim anëtarit tjetër, Ivan Raduloviç.

Pas përfundimit të testimit, anëtarët e bordit të RTK-së në mënyrë autonome i kanë vlerësuar testet e plotësuara nga kandidatët dhe e kanë poentuar secilën përgjigje të dhënë. Më pas pikët e githë anëtarëve të Komisionit Vlerësues janë mbledhur dhe është nxjerrë mesatarja e pikëve të dhëna.

Anëtarët e Komisionit Vlerësues nuk i kanë bërë publike pikët e dhëna për secilin kandidat, por vetëm janë bërë publike pikët totale të kandidatëve. 

Në proceset e rekrutimit që asistohen nga ekspertët britanikë, Komisionit Vlerësues obligohet që t’i bëjë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve. Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e Komisionit Vlerësues obligohen të japin arsyetime për secilin poentim të bërë.

Më 7 mars 2022, Bordi i RTK-së ua kumtoi monitoruesve vetëm rezultatin final të vlerësimit për secilin kandidat dhe jo vlerësimin individual të tyre nga secili anëtar i bordit.

Për të pasur qasje në listat e vlerësimit individual, BIRN u detyrua të bëjë kërkesë për qasje në listat e vlerësimit të kandidatëve nga anëtarët e komisionit.

Pas kërkesës së bërë nga BIRN, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), më 17 mars, pra 10 ditë pas vlerësimit, vendosi të publikojë listën e vlerësimit të kandidatëve në testin me shkrim, në të cilën tregohen pikët që kanë marrë kandidatët në secilën përgjigje të dhënë nga secili anëtar i Komisionit Vlerësues.

Me publikimin e listës së vlerësimit janë zbardhur dallime të mëdha në poentimin që është bërë nga anëtarët e Komisionit Vlerësues për përgjigjen e njëjtë të dhënë nga kandidatët për drejtor të RTK-së si dhe poentimin identik të tre anëtarëve të bordit në vlerësimin e tre kandidatëve. 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

BIRN ka vërejtur një rast specifik kur përgjigjen e një kandidati, njëri anëtar i Komisionit Vlerësues e ka vlerësuar me 15 pikë (pikë maksimale), kurse anëtari tjetër i komisionit i ka dhënë 0 pikë për të njëjtën përgjigje. 

Përveç vlerësimit transparent, ekspertët britanikë të angazhuar nga Ambasada britanike vazhdimisht kërkojnë sqarime dhe arsyetim të poentimit nga anëtarët e Komisionit Vlerësues në rastet kur ka diskrepancë të madhe mes tyre në poentim.

Por, secili anëtar i komisionit gjatë vlerësimit para vetes ka pasur edhe çelësin me përgjigjet e sakta. Përkundër kësaj, serish janë evidentuar raste kur poentimi për të njëjtën përgjigje të dhënë nga kandidatët ka dallime të mëdha.

Disa pyetje kanë qenë të mbyllura, disa të hapura dhe një pyetje ka qenë në gjuhën angleze. Sa i përket pyetjeve të hapura, në çelesin të cilin e ka poseduar secili anëtar i komisionit kanë qenë të listuara pikat kryesore që kandidati do të duhej t’i përmendte, që një pergjigje të konsiderohet e saktë.

Dallimet në poentim 

listën e publikuar nga bordi i RTK-së shihet se te të gjithë kandidatët ka diskrepancë në poentim. Megjithatë, te disa prej kandidatëve dallimet në poentim janë të mëdha edhe në më shumë se një pyetje.

Kandidatja Adriana Kutllovci, në pyetjen e 6-të është vlerësuar me 3 pikë nga njëri anëtar i komisionit kurse nga anëtari tjetër ajo ka marrë maksimumin e pikëve – 15.

Për pyetjen e 6-të, kandidati tjetër Arben Berisha, nga njëri anëtar ka marrë 3 pikë kurse nga tjetri 15 për të njëjtën përgjigje.

Në pyetjen e 9-të një anëtar i komisionit përgjigjen e kandidatit Bekim Hasani e ka vlerësuar me 3 pikë kurse ka pasur anëtar që e ka vlerësuar me 12 pikë përgjigjen e njëjtë.

Dallim i madh në vlerësim është vërejtur te kandidati Fadil Hoxha në pyetjen e 6-të. Për të njëjtën përgjigje, një anëtar i komisionit e ka vlerësuar me 0 pikë kurse anëtari tjetër e ka vlerësuar me maksimumin prej 15 pikëve.

Edhe te kandidati tjetër Fahredin Shehu, një anëtar i komisionit për përgjigjen e dhënë në pyetjen numër 9 i ka dhënë 9 pikë kurse anëtari tjeter i ka dhënë 0 pikë.

Dallime në poentim kishte edhe te kandidati Fisnik Dërguti. Ai në përgjigjen e dhënë në pyetjen numër 9 nuk ka marrë asnjë pikë nga një anëtar i komisionit kurse një anëtar tjetër i ka dhënë 8 pikë.

Për përgjigjen në pyetjen numër 11, ka anëtarë të komisionit që kandidatit Gjergj Filipaj i kanë dhënë 2 pikë kurse anëtari tjetër përgjigjen e Filipajt e ka vlerësuar me 10 pikë.

Një anëtar i komisionit përgjigjen e kandidatit Hysen Hundozi për pyetjen numër 10 e ka vlerësuar me 15 pikë, kurse një anëtar tjetër e ka vlerësuar me 6 pikë përgjigjen e njëjtë.

Kandidati Orhan Hajrizi në pyetjen numër 4, nga një anëtar i komisionit është vlerësuar me 0 pikë, kurse nga anëtar tjetër është vlerësuar me 7 pikë.

Kandidati Shkumbin Ahmetxhekaj për përgjigjen e dhënë në pyetjen e 10-të është vlerësuar me 15 pikë nga njëri anëtar i komisionit kurse ka marrë vetëm 2 pikë nga një tjetër anëtar i komisionit vlerësues.

Valentina Saraçini, kandidatja tjetër për udhëheqjen e RTK-së, për pyetjen numër 7 nga një anëtar është vlerësuar me 0 pikë kurse nga disa anëtarë të tjerë me 8 pikë. 

Po ashtu, në listën e vlerësimit të kandidatëve vërehen edhe dallime të tjera në vlerësim, të cilat mund t’i shihni në listën e vlerësimit të bashkangjitur në këtë artikull.

Poentimi i njëjtë

Pas kërkesës së BIRN-it për qasje në listat e vlerësimit të secilit anëtar të komisionit për secilin kandidat, janë vërejtur edhe detaje të tjera në vlerësim.

Nga lista e vlerësimit të kandidatëve e cila tashmë është publike, vërehet se anëtarët e bordit, Safet Kabashaj, Bekim Sele dhe Ivan Radulovic kanë vendosur pikë identik në secilën përgjigje të kandidatëve Arben Berisha, Hysen Hundozi  dhe Shkumbin Ahmetxhekaj.

Këta tre anëtarë të komisionit vlerësues kanë qenë të ulur pranë njëri-tjetrit gjatë vlerësimit të testeve. 

Ndërsa dy anëtarët e tjerë të komisionit Safet Kabashaj dhe Ivan Radulovic, kanë edhe më tepër raste kur kanë vendos pikë identike për secilën përgjigje të kandidatëve të caktuar.

Safet Kabashaj dhe Ivan Radulovic tek gjashtë kandidatë kanë vlerësuar me pikë identike secilën përgjigje të tyre.

Kabashaj dhe Radulovic kanë pikë të njëjta për përgjigjet e dhëna nga kandidatët: Adriana Kutllovci, Arben Berisha, Bekim Hasani, Fisnik Dërguti, Hysen Hundozi dhe Shkumbin Ahmetxhekaj. 

Bordi i RTK-së ende nuk ka siguruar qasje të plotë në teste për monitoruesit e BIRN

Lidhur me këto dallime në mënyrën e vlerësimit, BIRN ka kërkuar qasje në testet me shkrim të kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të RTK. Testet e kandidatëve janë dokument publik sepse përgjigjet e kandidatëve për drejtor të RTK-së janë për çështje krejtësisht profesionale dhe nuk përfshijnë të dhëna personale. Përveç kësaj, është me interes publik që publiku ta shoh se si janë përgjigjur kandidatët për drejtor të TV-së publike që paguhet tërësisht prej taksapaguesve kosovarë.

RTK-ja i ka lejuar qasje në teste BIRN-it, por vetëm për t’i parë ato dhe jo për të pasur një kopje të tyre.

“Lidhur kërkesën tuaj për t’u qasur në testet me shkrim të kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, si pjesë të dytë të përgjigjes, pas konsultimit edhe me zyrën ligjore të RTK-së, ju njoftoj se ju mund të keni qasje në këto teste për t’i parë, por jo edhe për ti marrë si kopje fizike në format të shtypur”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Besnik Boletini, kryetari i bordit të RTK-së. 

Lidhur me këtë çështje, në bazë të nenit 14 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike përcaktohet se formën e qasjes në dokumentet e kërkuara e zgjedh vetë kërkuesi.

“Kur institucioni publik lejon qasjen në dokumente publike, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë formën për qasje në dokumentet të tilla”, thuhet në nenin 14 të këtij Ligji. 

BIRN ka kërkuar sërish nga bordi i RTK-së që t’i ofrohen dokumentet e kërkuara në kopje fizike apo elektronike, meqë Ligji për Qasje në Dokumentet Publike ia garanton një gjë të tillë.

Kurse Bordi i RTK-së duke u thirrur në një përgjigje tjetër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të dhënë për një rast tjetër, Boletini i ka thënë BIRN-it që testet lejohen vetëm të shikohen e jo të jepen si kopje, siç parashihet me ligj nëse këtë e kërkon pala që e bën kërkesën për qasje.

BIRN do ta ngris këtë çështje edhe në Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të kërkuar të drejtën për qasje të plotë në teste. 

Intervistimi i kandidatëve

Kandidatët që kanë marrë mbi 50% të pikëve të testit me shkrim dhe që janë ftuar për intervistë janë: Shkumbin Ahmetxhekaj që ka marrë 80.7% të pikëve nga testi me shkrim; Bekim Hasani që ka marrë 79.4% të pikëve; Fadil Hoxha – 73.7%; Hysen Hundozi – 70.9%; Gjergj Filipaj – 69.3%; Arben Berisha – 65.8%; Fisnik Dërguti – 52.2% dhe Adriana Kutllovci – 50%.

Kurse kandidatët të cilët nuk e kaluan testin me shkrim janë: Valentina Saraçini (46.3%), Fahredin Shehu (46.2%) dhe Orhan Hajrizi (41.2%).

Intervistimi i kandidatëve u zhvillua më 19 mars 2022, në zyrat e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Intervistat e kandidatëve kanë zgjatur nga 30 minuta dhe totali/maksimumi i pikëve të intervistimit ka qenë 100, ku secila pyetje ka pasur nga 20 pikë. 

Por, bordi ka lejuar që disa prej kandidatëve të flasin më tepër se 30 minuta, përkundër faktit që ishte caktuar në fillim limiti i intervistave të jetë 30 minuta. Por, Bordi pasi që kandidatit të tretë më rend, Bekim Hasani i janë dhënë 8 minuta shtesë, atëherë edhe dy kandidatëve të tjerë pas tij, u është thënë se u lejohet ta tejkaljonë kohën e intervistave.

Fillimisht secili kandidat e ka dhënë një biografi të shkurtër/prezantim profesional dhe pastaj i njëjti është përgjigjur në pesë pyetjet e parashtruara nga anëtarët e bordit.

Pyetjet kanë pasur të bëjnë me motivimin e kandidatëve për të aplikuar, çështjen financiare të RTK-së dhe propozimin për të dalë nga kjo situatë, strategjia për t’ju qasur sfidave dhe zhvillimit të RTK-së, planet lidhur me komunitetet jo shumicë si dhe qasjen kundrejt departamentit të informacionit në raport me të gjitha njësitë e RTK-së.

Pyetjet janë hartuar nga anëtarët e bordit 1 orë para fillimit të procesit të intervistimit, mirëpo monitoruesit nuk kanë qenë të ftuar gjatë këtij procesi.

Monitoruesit janë ftuar që procesin ta monitorojnë nga ora 10, ndërsa hartimi dhe përpilimi i pyetjeve nga anëtarët e komisionit është bërë nga ora 9. 

Poentimi i kandidatëve është bërë individualisht nga secili anëtar i komisionit dhe pas çdo vlerësimi për secilin kandidat, secili anëtar i komisionit i ka dhënë arsyet e detajuara lidhur me mënyrën e vlerësimit.

Ajo çfarë është vërejtur gjatë procesit të intervisitmit është fakti se në pyetjet e parashtruara kandidatëve, komisioni nuk ka parashtruar asnjë pyetje nga fusha e integritetit sic është praktikuar nga ekspertët britanikët gjatë zhvillimit të procedurave të rekrutimit për pozita të larta.

Në bazë të ligji për RTK-në, drejtori i përgjithshëm emërohet nga bordi me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit.

“Drejtori i Përgjithshëm i RTK-se emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit. Mandati i tij do të jetë tri (3) vjet me mundësi të rizgjedhjes në bazë të konkursit, vetëm edhe për një mandat pasues”, thuhet në nenin 32 të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës.

Ndërsa, neni 25 i Ligjit të RTK-së thotë se bordi i RTK-së përbëhet nga 11 anëtarë të bordit, që do të thotë se 2/3 e 11 votave është 7.3 vota, pra duhet më shumë se 7 vota për të zgjedhur drejtorin e përgjithshëm të RTK-së.

Pas zhvillimit të testimit me shkrim dhe intervistave me gojë, këto janë pikët e kandidatëve:

Konkursi është shpallur bazuar në Ligjin e RTK-së dhe në bazë të Udhëzimit Administrativ nr 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik përmes së cilit rregullohet çështja e komisionit vlerësues dhe komisionit të ankesave.

Në bazë të nenit 13 të Udhëzimit Administrativ nr 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik, kandidatët kanë të drejtë ankese brenda 8 (tetë) ditëve pas pranimit të vendimit nga komisioni vlerësues. Aktualisht nuk është e qartë kush prej bordit të RTK-së do të jetë në komisionin e ankesave pasi gjithë anëtarët e bordit kanë marrë pjesë në komisionin vlerësues. 

Bordi i RTK-së, deri tash, nuk ka krijuar komision të veçantë të ankesave, ashtu siç parashihet me udhëzim administrativ. Sipas udhëzimit administrativ nr 07/2017, në komisionin vlerësues duhet të jenë tre anëtarë, ndërsa në komisionin e ankesave prap 3 anëtarë. 

Në bazë të praktikave tjera, komisioni i ankesave duhet të përbëhet prej njerëzve që nuk kanë qenë në komision vlerësues. 

Më poshtë gjeni mënyrën e vlerësimit të secilit anëtarë të bordit në fazën e intervistimit, për secilin kandidatë.