134 auditime të planifikuara për 2022-2023 në institucionet publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), për sezonin e auditimit 2022-2023, ka planifikuar që të kryhen 134 auditime të institucioneve publike.

Duke raportuar në Komisionin për Financa, Spanca bëri të ditur se nga këto auditime, 113 prej tyre janë auditime të pasqyrave financiare.

“Janë planifikuar 134 auditime ndër to 113 pasqyra financiare dhe të pajtueshmërisë.  Do të auditohen komunat, ndërmarrjet publike, ministritë dhe fondet e jashtme. Në plan janë 11 ndërmarrje publike” – ka thënë Spanca.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se për herë të parë do të auditohet edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ndërsa nuk është përfshirë Trepça, pasi që sipas Spancës, kanë mungesë të kapaciteteve.

“Janë angazhuar 51 ekipe në procesin e auditimit. Kryerja e auditimeve me këtë plan do ta rrisë rolin e llogaridhënies dhe transparencës” – ka thënë ndër të tjera Spanca.

Me gjashtë vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni për Financa ka miratuar planin e auditimit të ZKA-së për sezonin auditues 2022-2023.