100 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm lidhur me sulmin ndaj Top Channel

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se po ofron shpërblim prej 100 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm lidhur me sulmin ndaj godinës së Top Channel mëngjesin e së hënës, ku mbeti i vrarë Pal Kola, 61-vjeç, punëtori i sigurimit.

“Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100,000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi” – thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, nga policia është potencuar se makina me të cilën u qëllua me armë ndaj godinës së Top Channel në mëngjesin e të hënës rezulton se i ishte vjedhur një shtetasi të Kosovës që kishte qenë në pushime në zonën e Lezhës.

Më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç.

Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.