Enver Hoxhaj I Foto: Kallxo.com

​Enver Hoxhaj uron Lajçakun: Shansi i fundit për ta unifikuar rolin e BE-së në Kosovë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka uruar Lajcakun për emërimin si Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi.

Përmes një postimi të Twitter, Hoxhaj i ka thënë përfaqësuesit special se e ka shansin fundit për të unifikuar rolin e BE-së në Kosovë.

“Urime miku im, Miroslav Lajcak për emërimin si Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi. Ju keni shansin e fundit për të unifikuar pozicionin e BE në Kosovë, dhe në koordinim të ngushtë me SHBA. për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe njohje të ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.

Këshilli i BE-së, ka njoftuar se ka emëruar sot Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak do të marrë detyrat e tij menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh .