A mund të jetojmë përgjithmonë? Studiuesit japonezë shpikin vaksinën e re kundër plakjes

Po sikur të mund të jetonim përgjithmonë? Është një pyetje e gjatë e medituar nga persona që janë të fiksuar pas imagjinatës si dhe nga  miliarderët e Silicon Valley.

Tani studiuesit në Japoni thonë se mund të kenë bërë një hap drejt rritjes së jetëgjatësisë njerëzore me provat e suksesshme të një vaksine kundër qelizave që kontribuojnë në procesin e plakjes, shkruan Euronews.

Në provat laboratorike, një medikament që synon një proteinë të përmbajtur në qelizat e vjetra – ato që kanë ndaluar natyrshëm riprodhimin e tyre – e ka ngadalësuar progresin e përparimin e dobësisë fizike tek minjtë më të vjetër, thanë studiuesit nga Universiteti Juntendo i Tokios.

Vaksina gjithashtu kishte si objektiv me sukses qelizat e plakura në indin dhjamor dhe enët e gjakut, duke sugjeruar se mund të ketë një ndikim pozitiv në kushte të tjera mjekësore që lidhen me plakjen.

“Ne mund të presim që (vaksina) do të aplikohet në trajtimin e ngurtësimit arterial, diabetit dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me plakjen”, tha profesori Juntendo Toru Minamino për agjencinë japoneze të lajmeve Jiji.

Çfarë është plakja qelizore?

Qelizat bëhen të vjetra kur ndalojnë së dyfishuari vetveten, shpesh si përgjigje ndaj dëmtimit natyror të ADN-së së tyre. Plakja qelizore mendohet se kontribuon në vetë procesin e plakjes, si dhe në sëmundjet e lidhura me plakjen, të tilla si Alzheimer dhe disa lloje kanceri.

“Qelizat e plakura sekretojnë një sërë faktorësh që prishin funksionin e indeve”, tha Dr. Salvador Macip, udhëheqësi i Laboratorit të Mekanizmave të Kancerit dhe Plakjes në Universitetin e Leicesterit, deklaron për Euronews Next.

“Ata ‘i thërrasin’ qelizat nga sistemi imunitar, në teori, që të pastrohen prej tyre (por kjo përfundimisht dështon) dhe krijojnë një inflamacion kronik të nivelit të ulët, të përzier me fibrozë,” tha Macip.

Macip ishte pjesë e një ekipi ndërkombëtar akademikësh nga universitetet në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Nigeri dhe Arabinë Saudite që publikuan kërkime mbi një metodë tjetër të trajtimit të qelizave të plakura në muajin tetor të këtij viti.

Procesi biologjik i plakjes është shumë kompleks, prandaj nuk ka gjasa që një strategji e vetme ta ndalojë ose ta kthejë atë plotësisht. Megjithatë, ka ndoshta shumë mënyra për ta ngadalësuar atë, dhe pastrimi i qelizave të plakura duket të jetë një nga më të lehtat dhe, potencialisht, më efektive”, tha ai.

Kufiri i jetëgjatësisë

Në testet laboratorike, parandalimi i grumbullimit të qelizave të plakura zgjati jetëgjatësinë e minjve me 15 për qind, tha Macip për Euronews Next. Eksperimente të tjera të ngjashme kanë arritur deri në 35 për qind rritje, tha ai.

Eksperimente të ngjashme kanë raportuar deri në 35 për qind rritje të jetëgjatësisë së minjve, thotë Salvador Macip, udhëheqësi i Laboratorit të Mekanizmave të Kancerit dhe Plakjes në Universitetin e Leicesterit. Foto: AFP

Mirëpo, para se të emocionoheni shumë, ia vlen të keni parasysh se studiuesit ende nuk e dinë se sa mund të zgjatet jetëgjatësia e një krijese të gjallë.

“Kjo është një pyetje shumë interesante dhe për të cilën ne ende nuk jemi dakorduar Disa besojnë se ekziston një kufi “i vështirë” për jetëgjatësinë e njeriut (rreth 130 vjet është vlerësimi aktual), ndërsa të tjerë mendojnë se, në letër, pavdekësia duhet të jetë e realizueshme”, tha Macip.

“Është ende herët për ta ditur se sa mund të zgjatet jeta dhe nëse ka një kufi të jetëgjatësisë apo jo”.

Megjithatë, mund të mos na duhet të presim shumë gjatë për një përgjigje.

“Fusha e kërkimit kundër plakjes po shënon një progres shumë të shpejtë. Në dekadën e fundit, ka pasur shumë zbulime kryesore”, tha Macip.

“Personi që do ta marrë pilulën e parë kundër plakjes ndoshta ka lindur tashmë”.