Vdes aktori amerikan James Caan në moshën 82-vjeçare

Aktori amerikan James Caan, i cili e ka luajtur rolin e gangsterit Sonny Corleone në filmin epik mafioz “The Godfather”, ka vdekur në moshën 82-vjeçare, tha familja e tij në një deklaratë të enjten.

Deklarata, e postuar në llogarinë zyrtare të Caan në Twitter, tha se aktori vdiq të mërkurën në mbrëmje. Asnjë shkak i vdekjes apo vendndodhja nuk u dha.

“Familja e vlerëson shprehjen e dashurisë dhe ngushëllimet e përzemërta dhe kërkon që të vazhdoni ta respektoni privatësinë e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë”, thuhet në deklaratë.

Caan u nominua për çmimin Oskar për aktorin më të mirë në rol dytësor për portretizimin e tij të Corleone-s në “The Godfather” të vitit 1972. Ai e ripërsëriti rolin në skenat e rikthimit në “The Godfather: Pjesa II” në vitin 1974. Nominime të tjera përfshinin katër Golden Globes dhe një Emmy.

Karriera e tij zgjati gjashtë dekada dhe përfshinte një gamë të gjerë rolesh të tjera në filma, nga thrilleri psikologjik “Misery” deri në komedinë “Elf”. Vitin e kaluar ai luajti në komedinë romantike “Queen Bees” përballë Ellen Burstyn.

James Edmund Caan lindi në lagjen Bronx të Nju Jorkut më 26 mars të vitit 1940 nga emigrantë hebrenj gjermanë. Një nga tre vëllezërit e motrat, Caan filloi të aktrojë në televizion në vitin 1961. Ai fitoi vlerësim të gjerë për rolin e tij në filmin televiziv të vitit 1971 “Brian’s Song”, në të cilin luajti futbollistin e vërtetë të Chicago Bears, Brian Piccolo, i cili vdiq nga kanceri në moshën 26 vjecare. Ky rol i dha Caan një nominim për Emmy.

Billy Dee Williams, i cili luajti me Caan në “Brian’s Song”, ndau një foto të të dyve së bashku në vitet e fundit në llogarinë e tij në Twitter.

Aktori Adam Sandler, i cili luajti bashkë me Caan në komedinë e vitit 1996 “Bulletproof”, tha se “gjithmonë donte të bëhej si ai”.

“Asnjëherë nuk pushova së qeshuri kur isha pranë atij burri. Filmat e tij ishin më të mirët nga më të mirët,” tha Sandler në Twitter./Euronews