Teatri i Gjilanit publikoi programin për muajin nëntor

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka publikuar programin për muajin nëntor 2019, në bazë të së cilit për muajin që po hyjmë janë planifikuar të jepen 13 shfaqje teatrale.

Disa prej shfaqjeve që do të jepen gjatë nëntorit në këtë teatër do të jenë pjesë e programit të “Showcase-it Teatror të Kosovës”.

Përmes një njoftimi në Facebook, menaxhmenti i Teatrit të Gjilanit ka bërë të ditur se pjesë e repertorit të këtij muaji do të jenë edhe shfaqjet për fëmijë në kuadër të skenës së Teatrit magjik të fëmijëve.

“Kosovo Theatre Showcas dhe Teatri Magjik i Fëmijëve bashkë me shfaqjet e tyre fantastike janë e veçanta e kalendarit të këtij muaji”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Programin e muajit nëntor në Teatrin e Gjilanit do ta hapë shfaqja, “Erdhi Godoaj”, që do të jepet më 1 nëntor 2019 në ora 16:00.

Kjo shfaqje do të jepet në kuadër të edicionit të dytë të Showcase-it të teatrove kosovare, që mbahet nga data 31 tetor 2019 deri më 3 nëntor 2019.

Në gusht të këtij viti Teatri i Qytetit të Gjilanit nënshkroi një memorandum bashkëpunimi, së bashku me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin “Adriana” të Ferizajt, për organizimin e edicionit të sivjetëm të “Kosovo Theater Showcase 2019”.