Shfaqja për vrasjen e Rexhep Lucit jepet premierë në Teatrin Kombëtar

Të martën e ardhshme, më  24 shtator 2019 në Teatrin Kombëtar të Kosovës jepet premiera e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj.

Shfaqja është prodhim i Qendrës Multimedia të Prishtinës dhe në TKK jepet si shfaqje mysafire.

“Pesë stinët…” përshkruan Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj.

Përmes një njoftimi për media, Qendra Multimedia, njofton se “Pesë stinët…”  trajton degradimin e kryeqytetit që nisi menjëherë pas luftës me vrasjen e njeriut që desh të vë rend dhe ligj, dhe politika neoliberale të tregut që ndiqeshin edhe nga Misioni i OKB-së.

“Duke e parë këtë situatë alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Qendrës Multimedia.

Përveç tjerash shfaqja trajton edhe problemin e ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe abuzimin që u bëhet punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë dhe tragjeditë që po përcjellin këtë sektor.

Shfaqja “Pesë stinët…” është një rrëfim, siç konkludohet në komunikatë  për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë”, ngjashëm sikurse rase i  Ibsen premes  Stockmannit.

“Kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Regjinë e shfaqjes e ka bërë Blerta Neziraj, ndërsa aktorjnë: Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha.